Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, nënvizoi nevojën për të marrë një vendim të menjëhershëm për përdorimin e të ardhurave nga fondet e ngrira ruse në BE, për të ndihmuar Ukrainën. Këtë deklaratë ai e bëri, teksa ishte i pranishëm në Këshillin e Punëve të Jashtme në Luksemburg.
“Duhet të gjejmë një mënyrë ligjore për të përdorur të ardhurat nga fondet e ngrira ruse, duke shmangur çdo lloj ngatërrese. Ne kemi një proces për ta bërë atë të ecë shpejt”, tha Borrell, duke theksuar se “ka një zgjidhje që po vijë sot në tryezën e bisedimeve”.
Borrell tha se një shtet anëtar (Hungaria) refuzon të zbatojë vendimet ligjore, për të transferuar një pjesë të të ardhurave nga asetet e ngrira ruse në Fondacionin Evropian të Paqes. Ai gjithashtu theksoi se këto para duhet të përdoren menjëherë dhe se disbursimi i parë mund të bëhet javën e ardhshme, ose në fillim të korrikut.
“Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë tani,” shtoi ai.
Ministrat e jashtëm të BE-së do të informohen nga homologu i tyre ukrainas Dmytro Kuleba mbi situatën në terren. Ata pritet të mirëpresin miratimin e paketës së 14-të të sanksioneve, e cila mbulon gazin natyror të lëngshëm, ndërsa pritet të diskutohet edhe marrëveshja e sigurisë mes BE-së dhe Ukrainës.