Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, njoftoi se janë kthyer drejt Shqipërisë edhe personat e fundit që ishin në parkun inovativ të Prizrenit dhe ata që ishin në shkollën “Gjon Buzuku” në këtë komunë.
“Sot nga parku inovativ trajnues kosovaro-gjerman u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren. Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit në objektet publike”, tha Haradinaj.
Ai tha se çdo ditë merr raporte nga institucionet për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në Kosovë.
Haradinaj falënderoi të gjithë qytetarët për kontributin dhe angazhimin që dhanë për t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve tanë nga Shqipëria pas tërmetit me pasoja tragjike.
“Edhe njëherë falënderoj institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pa ndalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falënderoj institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision”, shtoi Haradinaj.
Ai tha se do të vazhdojnë të jenë të gatshëm për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë.
Ndërsa, sa i përket parkuti inovativ në prizren, Haradinaj tha se ai do të vazhdojë me misionin që ka atë për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.