Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka kritikuar vendimin e OPEC ndërsa bën thirrje për përdorimin e energjisë së gjelbër
Shtrëngimi i tregjeve për gazin natyror të lëngshëm në mbarë botën dhe prodhuesit kryesorë të naftës të cilët po reduktojnë furnizimin po krijojnë krizën e vërtetë energjitike në botë.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Fatih Birol u shpreh se rritja e importeve të gazit natyror të lëngshëm në Evropë në mes të krizës në Ukrainë dhe një rritje e prodhimit të hidrokarbureve në Kinë pritet të shkaktojë trazira në treg pasi vetëm 20 miliardë metra kub kapacitet të gazit natyror të lëngshëm do të dalin në treg vitin e ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, vendimi i fundit i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve të saj, të njohur si OPEC+, për të ulur 2 milionë fuçi në ditë të prodhimit është një vendim i rrezikshëm..
“Është veçanërisht i rrezikshëm pasi disa ekonomi në mbarë botën janë në prag të një recesioni, nëse po flasim për recesionin global.Unë e pashë këtë vendim me të vërtetë fatkeq,” tha ai.
Por Birol u shpreh gjithashtu se kriza aktuale e energjisë mund të jetë një pikë kthese duke nxitur kështu shumë vende të përshpejtojnë hapat për përdorimin e burimeve të pastra dhe për formimin e një sistemi energjie të qëndrueshëm dhe të sigurt.
Vendet evropiane kanë mbushur rezervuarët e magazinimit në rreth 90% të kapacitetit të tyre pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore të vendosura për pushtimin e saj në Ukrainë. Çmimet e gazit, të cilat u rritën në muajt pas fillimit të luftës, janë ulur shumë pak , por kjo mund të zgjasë për një periudhë kohore të shkurtër pasi vendet konkurrojnë për të blerë gaz natyror të lëngshëm dhe alternativa të tjera.
Për të ndihmuar në përballimin e rritjes së çmimeve të gazit, Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e një kufiri çmimi, por blloku 27-vendesh është i ndarë pasi disa vende janë të shqetësuar se mund të vështirësojë sigurimin e furnizimeve.