Në Maqedoni është vështirë të jesh gazetar! Ata që kanë ngritur zërin për ta zbardhuar të vërtetën, nuk janë duke punuar, e madje disa nuk jetojnë më, thotë Zoran Bozhinovski.
Bozhinovski jeton në Serbi, jo në Maqedoni! Sepse, di shumë nga ajo që ‘s’duhet të dihet’. E, një pjesë të asaj se çfarë di, ai e ndan ekskluzivisht me Telegrafin.
Telegrafi: Çfarë do të ndodh pas zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni? A do të jenë në pushtet BDI dhe VMRO?
Bozhinovski: Nëse janë të mençur ata anëtarë që nuk janë të përlyer në këto dy “firma”, le të bëjnë diçka për t’i kthyer këto dy subjekte drejtë veprimit politik; nëse kanë fuqi që të përlyerve t’ua tregojnë derën, ata do të kenë mundësi të kenë rezultate pozitive. Kështu, si sot, tregtarët në partitë e tyre janë duke i drejtuar kah gremina së bashku me krimet e papara e të padëgjuara deri sot.
Në BDI dhe në VMRO do të goditet Mijalkovi dhe Xhaferi. Bashkëpartiakët duhet të gjuajnë me gurë këta shokë biznesi dhe të gjithë të ngjashmit me ta. Pres që të ndodh kjo. Pres nga kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, pastaj nga Hazbi Lika dhe Rafiz Haliti. Ata kanë integritet t’ua thyejnë kokën. Nëse tregtarët si Musa Xhaferi, Ali Ahmeti, Sasho Mijalkovi dhe Nikolla Gruevski mbijetojnë këtë proces dhe kalojnë me thyerje të lehta, mund të ëndërrojnë daljen në zgjedhje dhe eventualisht qëndrim në pushtet. Por, edhe atëherë i presin qytetarët e pakënaqur. Ndaj, për ta ka vetëm shumëzim me zero.
Telegrafi: Çfarë informatash keni për përplasjet në Bashkësinë Fetare Islame (BFI)?
Bozhinovski: Ngjarjet në BFI janë pasqyrim i realitetit ku ndeshet feja, partitë politike, si dhe aranzhimet kriminele të atyre që udhëheqin në hije. Pastaj, duhet të lirohet kjo bashkësi nga kthetrat e UDB-së dhe nga shërbëtorët e saj brenda dhe jashtë. BFI, pas luftës, ka shërbyer si poligon dhe çerdhe e kriminelëve, e partive politike dhe e bashkëpunëtorëve të UDB-së.Para disa muajve publikova dokumente se si UDB pas luftës së fundit ka organizuar zgjedhje në këtë bashkësi fetare. Kjo bërthamë nuk është ndryshuar deri sot. Në Maqedoni ka shumë të pakënaqur me mënyrën se si udhëhiqet BFI nga Sulejman Rexhepi. Madje, janë të mbushur sirtarët e gjykatave me dokumente dhe fakte për mega-skandale për larje parash dhe krime tjera.Të gjitha hetimet dhe proceset e montuara që lidhen me korrupsionin në BFI janë ndaluar fal lidhjeve me BDI-në e PDSH-në. Publikut i ofrova materiale të përgjuara për karakterin korruptues të Rexhepit.
Me pajtimin e tij, e sipas merakut të tij për para kesh, është thyer ëndrra për ndërtimin e xhamisë “Burmali”. Ja, tani aty ndërtohet hoteli grek. E gjithë kjo e rrënon ëndrrën e shumë hoxhallarëve.
Rexhepi ka dhuratë një orë dore prej 37 mijë dollarëve amerikanë. Ndaj, nuk ka përplasje në BFI, por bashkim të kriminelëve që BFI-së ia kanë rrënuar reputacionin.
Telegrafi: Cilat janë informacionet tua për opozitarët, si Ziadin Sela, Vesel Memedi, Menduh Thaçi…
Bozhinovski: Ziadin Sela në opinion u njoh si njeri besnik i Thaçit dhe si aktivist besnik i PDSH-së. Largimi i tij nga kjo parti vjen pasi ai ka shumë informacione për manipulimet e mëdha që i ka bërë Thaçi dhe njerëzit rreth tij, gjoja në emër të kauzës shqiptare. Sipas informacioneve që unë posedoj, Sela ka edhe më shumë informata tjera për krimet që kanë ndodhur në Strugë e më gjerë, përfshirë rrëmbimet, vrasjet, keqpërdorimet e aktivistëve që në fund janë tradhtuar nga kreu i PDSH-së. Sela nuk ka publikuar asgjë deri tani. Ai as nuk ka treguar se pse doli nga PDSH. Ai, ose i ruan informacionet për të bindur anëtarësinë, ose do për të bëjë tregti me Menduh Thaçin, apo mbase pret që krejt anëtarësia e Thaçit të dalë kah ai kur t’i vije dita!Menduh Thaçin nuk e shoh si politikan, por si tregtar, si një kriminel e profiter nga konflikti i vitit 2001. Ai për vete ka mbledhur pasuri të paligjshme, si mijëra metër katrorë objekte komerciale dhe banesore në qendër të Tetovës. Tek Thaçi shoh politikanin e kapur në flagrancë duke vjedhur dhe blerë vota, për të cilat Sasho Mijalkovit i ka shprehur besueshmëri deri në vdekje. Thaçi dhe kreu i VMRO-DPMNE-së për mua janë turpi më i madh i Maqedonisë, gjë të cilën e sheh edhe bashkësia ndërkombëtare. Çdo njeri normal duhet të lajë duart pasi ta ketë prekur dorën e Thaçit. Ndërsa, ata që e kanë votuar nuk i vlerësoj si njerëz ia duan të mirën vetes dhe fëmijëve.
Për Bilall Kasamin nuk mund të thuhet se është lider i një partie politike opozitare. Shoqëria shqiptare e njeh si aktivist të BDI-së që nuk ka lënë asnjë përshtypje. Atë e shoh si person jostabil që mundohet të gjejë vend për vete në skenën politike, por vetëm për ambiciet e tija. Lideri real i kësaj lëvizjeje politike në Maqedoni është Skender Rexhepi, i njohur si Zejd, edhe pse mundohet që t’i nxjerr para Bilall Kasamin, Zeqirija Ibrahimin e disa ‘kukulla’ tjera për të manipuluar publikun. Mbështetësit e BESA-s për lider e njohin Zejd Rexhepin. Personalisht nuk besoj se kjo lëvizje do të zë vend në bllokun shqiptar si një parti nacionaliste.
Nga ana tjetër, Rufi Osmani, para se ta themelonte RDK-në, arriti të jetë viktimë kombëtare tek shqiptarët, për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. Kjo famë u harxhua shpejt, si pasojë e lëvizjeve të gabuara që po i bën. Osmani e kuptoi se në vend të tij duhet të vije një lider i ri. Ai, Vesel Memedi, ka shkollim jashtë vendit; ka deklarata të matura; ka me çka të tërheq vëmendjen edhe tek faktori ndërkombëtar. Kjo u vërejt kur partinë e vizitoi ambasadori Jess Baily. Shihet pra se duhet të kemi lider të rinj, posaçërisht tek blloku politik shqiptar. Vesel Memedi ka të kaluar të pastër dhe ka refuzuar bashkëpunime nga njerëz kriminelë e të korruptuar. Ai ka qëndrim të qartë se duhet të hapet dera për intelektualët e rinj të pastër. Memedi është e ardhmja e ndritshme. Shpresoj se nuk do të prishet si politikan.
Telegrafi: Çka dini për ngjarjet në Kumanovë, të 9-10 majit 2015?
Bozhinovski: Krejt çka di i kam publikuar. Më 24 prill shkrova se sulmuesit e karakollit në Goshince e kanë zbrazur depon me armë e askush nuk ka qenë aty që ta ruajë. E kanë ditur se çfarë armësh ka brenda. Policia nuk ka bërë asgjë për ta gjetur këtë armatim dhe që t’i çarmatos sulmuesit. Dy javë më vonë, në konflikt janë vrarë policë të shtetit tonë, po me ato armë. Më vonë u kuptua se porositës është Sasho Mijalkov në bashkëpunim me kreun e BDI-së, për të tërhequr vëmendjen nga “bombat” e opozitës. Ali Ahmeti, disa orë para masakrës është vizituar nga banorët e ‘Lagjes Trimave’, të frikuar se do të ketë konflikt. Ata e kanë lutur që të ndalet e që të shpëtojnë. Ahmeti nuk i ka pranuar në takim, por shoferi i cili u thotë që të harrojnë se kanë qenë tek ai.
Më vonë e publikova informacionin se kushëriri i Fatmir Besimit, i punësuar në DSK, ka qenë në lidhje me Beg Rizajn dhe Mirsad Ndrecaj para 9 majit, e i cili e ka ndjekur lëvizjen e tyre. Disa javë pas ngjarjeve ai u zhduk nga Çairi dhe nga Maqedonia.Kam publikuar transkripte edhe nga biseda mes Beg Rizajt e Mirsad Ndrecajt me anëtarët e degës së BDI-së në Kumanovë, për ndërhyrjet në udhëheqjen e kësaj dege. Që të dy i kanë mbështetur fraksionet për Degën e Kumanovës, përfshirë këtu konfliktin me ‘gjak deri në gjunjë’, që në fund rezultoi me vrasjen e komandant ‘Shqiponjës’.
Kam publikuar materiale dhe transkripte nga biseda e dy udhëheqësve të grupit të Komanovës, ku thuhet se kanë drekuar me Menduh Thaçin, e ku kanë biseduar për bashkëpunime në zgjedhjet e ardhshme, për t’i pastruar terren për një shumë me pesë zero. Ajo çka ndodhi në Kumanovë është tentim i pasuksesshëm i BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së për të përgatitur luftë e për ta kontrolluar pa viktima. Ndryshimi i disponimit të Beg Rizajt me çmimin dhe kërkesa për më shumë para te Mijalkovi, shkaktuan reaksione. Ky i fundit dha urdhër që të bastisen shtëpitë në ‘Lagjen e Trimave’. Ky informacion ndryshoi gjithçka dhe grupi nga jashtë ishte i gatshëm për luftë. Shumica e policëve të shtetit kanë qenë të vrarë sapo kanë dal nga transporterët, me pushkët e vjedhura në Goshince më 24 prill. Për këtë, duart e Ahmetit, të Xhaferit, dhe Gruevskit, janë të përlyera me gjak. Ndërsa, presin që të fitojnë zgjedhjet përsëri?! Personalisht, nuk besoj se qytetarët do ta harrojnë Kumanovën! ‘Lagja e Trimave’ është pikë në oqeanin e të këqijave që ka bërë VMRO dhe BDI.
Telegrafi: Çka do të ndodh në Maqedoni në vitin 2016?
Bozhinovski: Nuk jam profet, por pres të eliminohen ndasitë etnike dhe fetare, e që Maqedonia të ngrihet si shtet. Pres nga shqiptarët e izoluar nga BDI dhe PDSH, si dhe mediumet shqipe që si papagaj këndojnë këngët e porositur nga këto dy parti, të mendojnë ndryshe. Shpresoj të kthjellet shoqëria për politika të reja. Megjithatë, nuk pres shumë. Maqedonia është shtet i shkatërruar, buzë gremine. /Telegrafi/