Forcat Ajrore Ukrainase njoftuan sot se gjatë natës Rusia nisi sulmin më të madh me dronë dhe raketa që nga fillimi i luftës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve “të ashpra” ndaj Moskës.
Ushtria ruse lëshoi 728 dronë dhe 13 raketa gjatë natës, tha Forca Ajrore Ukrainase, duke shtuar se ka kapur 711 dronë dhe ka shkatërruar 7 raketa.
Sipas të njëjtit burim, u goditën “ katër rajone”, megjithëse ende nuk është specifikuar shkalla e dëmit të shkaktuar.
“Objektivi kryesor i sulmit ishte provinca Volhynia, qyteti i Lutsk!”, theksuan Forcat Ajrore Ukrainase.
Dy persona u plagosën në Kiev dhe një çift në provincën Zaporizhia, sipas autoriteteve lokale.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për vendosjen e “sanksioneve të ashpra” ndaj Rusisë dhe ekonomisë ruse, veçanërisht sektorit të naftës, “i cili ka ushqyer makinën e luftës së Moskës për më shumë se tre vjet”.
“Të gjithë ata që duan paqe duhet të veprojnë” , theksoi ai.
Ky sulm i ri ndodhi menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se do të dërgonte “më shumë armë” në Kiev në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohej nga bombardimet ruse.
“Është veçanërisht domethënëse që Rusia e nisi këtë sulm pikërisht në momentin kur SHBA-të njoftuan publikisht se do të na furnizonin me armë” , komentoi shefi i shtabit të Zelenskyt, Andriy Yermak.
Kremlini shprehu pakënaqësinë e tij dje, të martën, pas njoftimit të Uashingtonit, duke vlerësuar se ky njoftim do të favorizonte “vazhdimin e veprimeve armiqësore”.
Ukraina ka kërkuar prej muajsh nga partnerët e saj perëndimorë, përfshirë SHBA-në, më shumë sisteme mbrojtëse ajrore për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.


