Enti rregullator britanik mbi çështje të shëndetit ka këshilluar që njerëzit me raste të rënda alergjish, të mos e marrin vaksinën kundër COVID-19-s të kompanisë amerikane Pfizer dhe partnerit të saj gjerman BioNTech. Njoftimi u bë pasi dy persona raportuan se kishin pësuar efekte anësore pas vaksinimit në ditën e parë të fillimit të një fushate masive në Britani.
Britania e nisi vaksinimin të martën me të moshuarit dhe punonjësit e vijës së frontit, si pjesë e një makinerie globale që përbën një nga sfidat më të mëdha logjistike të historisë botërore në kohë paqeje.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor Stephen Powis tha se udhëzimet mbi vaksinën u ndryshuan pasi dy punonjës të këtij institucioni raportuan reaksione të llojit anafilaktik pas marrjes së vaksinës. Ata ishin mes mijëra personave që u vaksinuan ditën e martë.
“Siç ndodh zakonisht me vaksinat e reja, entet rregullatore këshillojnë si një masë paraprake që njerëzit me një historik të konsiderueshëm reaksionesh alergjike të mos e marrin këtë vaksinë, pasi dy persona që kanë vuajtur nga reaksione serioze alergjike, kanë pësuar efekte anësore“, tha zoti Powis.
“Të dy ata po e marrin veten shumë mirë”, shtoi ai.
Enti rregullator tha se do të kërkonte informacion të mëtejshëm dhe po e hetonte rastin si një çështje me përparësi. Kompanitë Pfizer dhe BioNTech njoftuan gjithashtu se po mbështesin hetimin.
Javën e kaluar Agjencia Rregullatore britanike mbi Çështjen e Barnave dhe Shëndetit (MHRA) ishte e para në botë që miratoi vaksinën prodhuar nga kompanitë BioNTech-u dhe Pfizer, ndërsa Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) po vazhdojnë të vlerësojnë të dhënat.
Pas njoftimit të Britanisë një zyrtar i lartë amerikan tha të mërkurën se amerikanët me reaksione të forta alergjike mund të mos jenë kandidatë për vaksinën e Pfizer-it.
Nesër pritet të mblidhet një grup këshillimor ekspertësh të pavarur të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave që do të diskutojnë mbi të dhënat e vaksinës së kompanisë Pfizer, e do të rekomandojnë nëse ajo duhet të autorizohet për përdorim urgjent.
“Pritshmëritë e mia janë që nesër kjo do të jetë një pjesë e shqyrtimit dhe sikurse në Mbretërinë e Bashkuar pritshmëritë do të ishin që ata të sugjeronin që personat me reaksione të forta alergjike, nuk duhet ta marrin vaksinën derisa të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur“, tha Moncef Slaoui, këshilltari kryesor për përpjekjet e SHBA-së për prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Fjalën e fundit për miratimin e vaksinës Pfizer e ka FDA-ja dhe vendimi pritet të merret brenda kësaj jave./VOA/