Bllokimi në Britani të Madhe nga coronavirusi është zgjatur për të paktën tre javë, konfirmoi Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Raab i cili po zëvendëson kryeministrin britanik, Boris Johnson, tha që vendimi u mor pas këshillave nga Grupi Shkencor për Emergjencat (SAGE).
“Plani ynë synon të ngadalësojë përhapjen e coronavirusit, kështu do të mbrojmë Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS) që të mos mbingarkohet nga pacientët”, ka thënë Raab.
“Në çdo hap përgjatë kësaj rruge ne kemi ndjekur këshillat shkencore dhe mjekësore, në mënyrë që të ndërmarrim hapat e duhur në momentin e duhur”, është shprehur ai.
“Ekzistojnë informacione që masat që kemi hedhur në vend, kanë qenë të suksesshme në ngadalësimin e përhapjes së këtij virusi”, ka thënë ndër tjerash Raab.