Qeveria e re e Britanisë së Madhe nuk do ta sfidojë kërkesën e një prokurori të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për lëshim të fletarrestimit për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar Zyra e kryeministrit të premten.
Qeveria e ish-kryeministrit britanik, Rishi Sunak, pati thënë se synon të sfidojë kërkesën e prokurorit Karim Khan në maj, për të lëshuar fletarrestime për Netanyahun dhe ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, lidhur me dyshimet për krime lufte në Gazë.
Britania ka pasur afat që të bëjë kërkesën deri të premten, mirëpo Qeveria e sapozgjedhur e Laburistëve, ka konfirmuar se nuk do t’i çojë përpara planet e Sunakut.
“Ky ka qenë propozim i Qeverisë paraprake, dhe kërkesa nuk është dorëzuar para zgjedhjeve, dhe unë mund të konfirmoj që Qeveria nuk do t’i çojë përpara këto plane, pasi vendimi i takon gjykatës”, ka thënë një zëdhënëse e Qeverisë britanike.
Laburistët, në krye me Keir Starmerin, janë ngjitur në pushtet më 4 korrik, duke mposhtur konservatorët në zgjedhjet e përgjithshme.
Prej atehërë, qeverisja e re ka rinisur të ndajë fonde për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, për të cilën Sunak i pati ndalur fondet, meqë ka pasur pretendime se anëtarë të saj kanë marrë pjesë në sulmin e 7 Tetorit kundër Izraelit.
Militantët e Hamasit – grupit palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë. Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.
Laburistët duan armëpushim të menjëhershëm në luftën e Izraelit me militantë të Hamasit në Gazë, si dhe lirim të pengjeve. Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, pritet të sfidojnë autoritetetin e GJNP-së për të lëshuar fletarrestim kundër Netanyahut./REL