Britania tha se Rusia është e përkushtuar që të detyrojë Ukrainën që të braktisë orientimin e saj euroatlantik dhe të vendosë dominimin e saj rajonal, edhe në kohën kur Moska ka përqendruar operacionet e saj në lindje të Ukrainës.
Forcat ruse po vazhdojnë rivendosjen e pajisjeve luftarake dhe mbështetëse nga Bjellorusia drejt Ukrainës lindore, përfshirë edhe në disa zona afër Harkivit dhe Severdonjeckut, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në informacionet e përditësuara për luftën në Ukrainë më 17 prill.
Artileria ruse vazhdon të sulmojë pozicionet në pjesën lindore të vendit, ku Rusia po planifikon të rinisë aktivitetet ofensive, tha kjo ministri.
Këto njoftime vijnë teksa ka raportime për shpërthime në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, por së fundmi ka thënë se do të përqendrojë aktivitetin e saj ushtarak në pjesën lindore të Ukrainës.