Pak orë pas furtunës mbi krerët e burgjeve në vend, ka nisur edhe komandimi i drejtuesve të rinj, të cilët do të mbajnë këtë detyrë derisa të shpallen fituesit që do t’i nënshtrohen konkurrimit.
Komandimi i tyre do të zgjasë derisa të përfundojë dorëzimi i dosjeve të kandidatëve, që do të garojnë për burgjet, te një komision i posaçëm që pritet të ngrihet. Shkarkimin e 8 drejtorëve e njoftoi të shtunën ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila tha se të gjithë ata do të kallëzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, ndërkohë që dy ish-drejtues burgu rezultojnë me precedentë penalë.
Celularë e drogë në qeli, futeshin me metoda të ndryshme
Pavarësisht se një vit më parë hyri në fuqi ligji për dënimin deri në 5 vite ndaj çdo të dënuari që kapet me telefon në qeli, çështja e telefonave vijon të ngelet një problem. Një nga shkeljet e evidentuara për ish-drejtuesit e burgjeve, që tregon se nuk kanë respektuar parametrat e sigurisë në burgje, është pikërisht ky fakt.
Rezulton se, vetëm në Burgun e Lezhës, gjatë kontrolleve të befasishme të 7 muajve të fundit janë bllokuar 70 telefona, ndërkohë që emrat e poseduesve janë referuar në Prokurori. Në vend të dytë vjen Burgu i Peqinit, ku janë bllokuar 80 telefona, jo vetëm atyre që vuajnë heqjen e lirisë, por edhe të të afërmve të tyre, që kanë tentuar t’i fusin në mënyra nga më të çuditshmet, që nga fshehja në frigorifer dhe në ushqime.
Pas telefonave, të dënuarit preferojnë drogën dhe ky është një fakt. Shumica e rasteve zbulohen gjatë kontrolleve personale, ku veçanërisht femrat, të afërme të të dënuarve, e fshehin drogën në pjesët intime në trupit. Ndërkohë që mënyra më inovative e dy viteve të fundit është edhe ajo e përdorimit të pëllumbave korrierë, sikurse është zbuluar në Burgun e Fushë Krujës.
Drejtorët e shkarkuar:
1. Drejtori i Burgut Peqin: Eugent Salla
2. Drejtori i Burgut Rrogozhinë: Afrim Zeqiraj
3. Drejtori i Burgut Lushnje: Gazmend Ibraliu
4. Drejtori i Burgut Lezhë: Gezim Gjeci
5. Drejtori i Burgut Berat: Ened Rrapo
6. Drejtori i Burgut Sarandë: Hajri Goxhaj
7. Drejtori i Burgut Durrës: Petrit Suci
8. Drejtori i Burgut Tepelenë: Marvin Muci.
Drejtorët e komanduar:
1. Drejtori i Burgut Peqin: Arjan Hasanaj
2. Drejtori i Burgut Rrogozhinë: Syrja Malasi
3. Drejtori i Burgut Lushnje: Zoj Rrushaj
4. Drejtori i Burgut Berat: Ermal Mile
5. Drejtori i Burgut Tepelenë: Etem Llapi
6. Drejtori i Burgut Vlorë: Aleksandër Rreza
7. Drejtore e Burgut të Grave: Jetmira Sula
8. Drejtori i Burgut Fushë Krujë: Agron Hysi
9. Drejtori i Burgut Drenovë: Petrit Kocia