Prodhimi i rrymës në centralin e vetëm bërthamor të Bjellorusisë, i cili gjendet afër kufirit me Lituaninë, është ndërprerë vetëm tri ditë pas hapjes zyrtare që ia bëri udhëheqësi autoritar i këtij vendi, Aleksander Lukashenko, i cili tha se Bjellorusia do të bëhet fuqi bërthamore.
Një zyrtar në këtë central bërthamor tha të martën se prodhimi i rrymës është ndërprerë pasi Ministria e Energjisë deklaroi një ditë më parë se një pajisje duhet të zëvendësohet para se prodhimi të vazhdojë, shkruan Free Europe.
Sidoqoftë, një medie lokale citoi një burim të afërt me zyrtarët e energjisë të kenë thënë se aktiviteti i centralit bërthamor është ndërprerë pasi disa transformatorë të tensionit shpërthyen.
Sipas këtij burimi, situata është nën kontroll, nuk ka viktima në njerëz dhe nuk është regjistruar ndonjë rritje e rrezatimit në central.
Ndryshe, ky central bërthamor u inaugurua të shtunën nga vetë Lukeshnko, e cili deklaroi: “Ky central është një hap drejt të ardhmes, drejt sigurimit të energjisë për shtetin.”
Centrali i vetëm bërthamor i Bjellorusisë është ndërtuar nga kompania ruse “Rosatom” dhe është financuar nga Rusia me një hua prej 10 miliardë dollarësh. Ndërtimi i tij është kundërshtuar nga Lituania, kryeqyteti i së cilës, Vilniusi, shtrihet vetëm 50 kilometra larg.