Lideri i demokratëve Lulzim Basha ka dhënë një prononcim të shkurtër për median fill pas takimit me Ministrin e Brendshëm italian Marco Minniti, duke thënë se ka vlerësuar deklaratën e tij për goditjen e të “paprekshmëve” në Shqipëri.
Basha tha se i ka dhënë garanci Ministrit Minniti se opozita do të bëjë ç;është e mundur dhe në dorën e saj që në Shqipëri të mos ketë organizata kriminale, të mos ketë të paprekshëm apo të mos blihen e shiten zgjedhjet.
I pyetur nga gazetarët nëse në diskutimin me Ministrin e Brendshëm Italian është prekur çështja Tahiri, Lulzim Basha është shprehur se nuk do të bëjë koment për të tilla “çështje të veçanta”.
“Pata një takim me ministrin e Brendshëm Minneti, – tha Basha, – të cilin e falenderova për mbështetjen që ka dhënë dhe po jep Italia në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri, në veçanti. Bashkëbiseduam për gjendjen kritike të luftës kundër krimit të organizuar dhe mora garancitë, të dhëna edhe publikisht, se Italia do të vazhdojë në goditjen e krimit të organizuar, do të ndihmojë Shqipërinë për të dalë nga kjo gjendje e rëndë e trafikut të drogës dhe influencës së bandave të krimit të organizuar.
Në veçanti vlerësoj mesazhin e ministrit të Brendshëm Minnetim për goditjen e organizatave të mëdha të trafikut të drogës dhe goditjen e “të paprekshmëve”. Ky është një mesazh shumë domethënës.”-tha Basha.