Përplasje për Navalnin, dakordësi për armët bërthamore
Presidenti amerikan Joe Biden u kthye në Uashington, pas përmbylljes së turit 8-ditor nëpër Europë, të parin jashtë vendit që kur u zgjodh në krye të Shtëpisë së Bardhë. Analistët e konsiderojnë atë si një tur tepër të rëndësishëm në zbatimin e planit të tij për rikthimin e Shteteve të Bashkuara në rolin e fuqisë së liderit global, pas tërheqjes së të paktën 4-viteve të fundit gjatë administratës Trump.
Takimi më i rëndësishëm konsiderohet ai i të Mërkurës prej më shumë se 3 orësh me Vladimir Putinin. Takimi shihet më shumë me skepticizëm, por arritja kryesore është angazhimi i dy liderëve për të ndaluar përdorimin e armëve bërthamore, duke premtuar madje nisjen e dialogut diplomatik për këtë qëllim.
Vitet e fundit, Moska nuk ka ngurruar t’i përmendë indirekt armët e shkatërrimit në masë si paralajmërim për cënimin e interesave të saj në botë, e veçanërisht për konfliktin në Ukrainë, ku rrezikohen kufijtë rusë. Armët ruse në këtë rast rrezikojnë të shkaktojnë qindra miliona viktima në veçanërisht në Europë, nëse koflibkti ukrainas precipiton në luftë të madhe.
Biden i përcaktoi Putinit vijat e kuqe për çështjen Navalni, ku i tha se nëse opozitari vdes në burg, Moska do të përballet me pasoja të rënda. Kjo konsiderohet si një arritje e guximshme për Biden-in në fushën e të drejtave të njeriut, prioritet i ri kryesor i administratës së tij, pasi Rusia zë ndër vendet e fundit në vlerësime për respektimin e tyre.