Cikloni në Francë/ Prefekti i Mayotte: Numri i viktimave mund të rritet

Dhjetëra mijëra banorë janë ende pa ujë në Mayotte pasi territori francez në Oqeanin Indian u shkatërrua nga cikloni Chido, ndërsa shpëtimtarët mundohen të gjejnë personat e zhdukur.

Shifrat paraprake nga Ministria e rendshme e Francës raportojnë se 22 persona kanë humbur jetën, por prefekti i Mayotte ka paralajmëruar se numri mund të rritet.

Punonjësit shëndetësorë janë të shqetësuar se sëmundjet infektive mund të përhapen, pasi banorët kanë raportuar mungesë të ujit të pastër të pijshëm dhe dyqanet po zvogëlojnë furnizimet.

Banorët e ishullit kaluan një natë të parë nën shtetrrethim midis orës 22:00 të ditës së martë dhe 04:00 të së mërkurës si pjesë e masave për të parandaluar grabitjet.

“Të gjithë po nxitojnë drejt dyqaneve për ujë. Ka një mungesë të përgjithshme,” i tha AFP-së një qytetar, ndërsa ecte me disa shishe në dorë në komunitetin Pamandzi jashtë ishullit kryesor të arkipelagut.

Autoritetet kanë thënë se prioriteti i tyre është rikthimi dhe funksionimi i impianteve të dëmtuara të ujit. Të mërkurën, ata thanë se sistemi i ujit ishte rivendosur pjesërisht dhe ata shpresonin që 50% e popullsisë së ishullit do të ketë akses në ujë deri në mbrëmje.

Qeveria franceze tha se 120 ton ushqim do të shpërndahen shumë shpejt, ndërsa Presidenti Emmanuel Macron planifikon të vizitojë Mayotte të enjten.

Gjysma e territorit mbetet pa energji elektrike. Një shtetrrethim i vendosur kërkon që njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për gjashtë orë gjatë natës për të parandaluar grabitjet. “Ne nuk kemi energji elektrike. Kur bie nata, ka njerëz që përfitojnë nga ajo situatë”, tha për Radio France Internationale Ambdilwahedou Soumaila, kryebashkiaku i kryeqytetit, Mamoudzou.

Mayotte është një nga pjesët më të varfra të Francës, shumica e banorëve të saj jetojnë në baraka. Chido është stuhia më e keqe që ka goditur arkipelagun në 90 vite, solli erëra me shpejtësi prej më shumë se 225 km/h të shtunën, duke rrafshuar zonat ku njerëzit jetojnë në kasolle me çati prej llamarine dhe duke lënë fusha me papastërti dhe mbeturina.

Leave a Reply