Cirku letrar

Midis nesh

Vrapi absurd për të botuar si e si një vepër letrare, edhe përkundër faktit se lexuesit janë gjithnjë e më të paktë, është një lëndë që kërkon një analizë të thellë socio – psikologjike.
Në fakt, në lëmin e botimeve kemi një tollovi të madhe dhe në anën tjetër bregut mund të dalin vetëm ata që janë më të gjindshëm, egoistë, tregtarë, shpifës, mashtrues, analfabetë e kështu me radhë. Pra është e pamundur në anën tjetër të dalin ata që kanë apo sjellin vlera të qëndrueshme shpirtërore.
Tashmë grupimet e ndryshme letrare që kanë një bosht rreth të cilit bëjnë lamë, favorizojnë “anëtarësinë” e vet, duke qenë gjithnjë pranë disa kritikëve, të cilët angazhohen që me porosi të japin gjithnjë vlerësime pozitive, po edhe nëse bëhet fjalë për ndonjë “vepër” që vendin e ka në kontejnerët e plehrave.
Ne jemi dëshmitarë se cilat vepra promovohen, cilëve autorë u jepet publicitet, pavarësisht faktit se e vërteta është krejt ndryshe. Në këtë treg absurd malli shkëmbehet me mall, pra vlen rregulli: “unë ty – ti mua”, ose “ti për ne, ne për ty”!
Po çfarë të bëjnë ata që nuk u takojnë kastave letrare të këtyre grupimeve, veprat e të cilave, edhe pse janë cilësore, mbulohen me pluhurin e heshtjes. Fatkeqësisht, këto vepra kurrë nuk arrijnë të jenë në duart e “kritikëve”, të cilët i kanë autorët e tyre, me veprat e të cilëve operojnë në imponimin dhe krijimin e një opinioni larg atyre autorëve që nuk janë në rrethin dhe interesin e tyre.
Gjithsesi do të vijë dita kur do ta ndjejmë dëmin e madh të shkaktuar nga grupimet letrare, do të vijë dita kur do të përfundojë infuzioni i mbajtjes në jetë të veprave të vdekura, do të vijë dita kur do të zhgënjehemi nga veprat e atyre, të cilët arritën që me lloj-lloj akrobacione të jeni prezent në cirkun letrar, do të vijë dita kur do të kuptojmë se dikush me botimet dhe me propagandën e aplikuar bëri biznes, duke realizuar profit tepër të majmë.
Do të vijë koha që një shumicë e madhe do të ndjehen të mashtruar. Por, do të vijë edhe koha kur në sipërfaqe do të dalin vlerat e vërteta, përkatësisht veprat e heshtura të autorëve “anonimë”, vetëm e vetëm se nuk ishin pjesë e grupimeve të ndryshme letrare.
Disa nga kritikët duhet ta dinë se përjetë i kanë marrë në qafë disa të ashtuquajtur shkrimtarë, duke dhënë vlerësime aspak profesionale, ndonëse me vetëdije të plotë. Këta kritikë nesër edhe mund të mos jenë midis nesh, por duhet të kuptojnë se pas do të lënë një grumbull të ashtuquajtur shkrimtarë, të cilët do të ngelin të ngujuar pa “infuzionin” e kritikëve të tyre. Prandaj, analiza e thellë socio – psikologjike është e domosdoshme një orë e më parë…
/HEJZA/

Leave a Reply