Pandemia e koronavirusit ka riformatuar thelbësisht sistemin e kujdesit shëndetësor të SHBA-së dhe ka ekspozuar disa nga problemet e saj më të mprehta, shkruan Christina Farr për rrjetin informativ amerikan, CNBC. Por, gjithashtu ka ndryshuar gjërat për mirë, sidomos në adaptimin e telemjekësisë. Ndërsa pacientët kërkojnë alternativa për kujdesin personal, miliona pacientë tani zgjedhin një vizitë virtuale ose seancë bisede me një mjek. ”United”, i cili është siguruesi më i madh shëndetësor në SHBA ka parë një ndryshim dramatik. Që nga janari ka pasur 13 milionë vizita tele-shëndetësore. ”Dhe këtu kryesojnë gratë duke qenë se ato shpesh janë vendimmarrëset kryesore për kujdesin shëndetësor për familjet e tyre”, thotë shefja e informacionit e kompanisë, Carissa Rollins.
Askush nuk ka një ide të qartë se kur jeta do të kthehej në normalitet, domethënë përvojat tona të kujdesit shëndetësor, shkollës dhe punës do të ktheheshin më shumë në personale sesa në virtuale. Por, ata ndanë disa shqetësime në lidhje me trembjen e vazhdueshme për kërkimin e kujdesit në spital ose klinikë. “Njerëzit po vonojnë kujdesin e tyre dhe ne jemi të shqetësuar”, tha Rollins. “Ne po shohim rënien më të madhe të depistimit dhe është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë”, shtoi ajo duke iu referuar faktit që më pak pacientë po marrin kujdes parandalues. Stephen Boyer, themeluesi dhe shefi i teknologjisë së ”BigSight”, një kompani e sigurisë kibernetike, bie dakord se është një gjë e vështirë për t’u parashikuar. “Ne jemi duke u përgatitur për një maratonë”, thotë ai.
Gjurmimi i kontakteve, procesi me të cilin personeli i trajnuar i shëndetit publik kontakton ata që kanë rezultuar pozitivë për virusin dhe përpiqen të vendosin njerëzit që mund të kenë ekspozuar ndaj virusit, mbetet një sfidë për SHBA. Darren Dworkin, nënkryetari i shërbimeve të informacionit të kompanisë mjekësore ”Cedars-Sinai” përshkroi mungesën e gjurmimit të kontakteve në shtete të ndryshme si më pak problem teknologjik dhe më shumë mungesë koordinimi.
“E vërteta është se kujdesi shëndetësor para pandemisë ishte shumë i fragmentuar në SHBA. Ne po zbulojmë vetëm tani anët e dobëta”, thekson ai. Mungesa e burimeve të disponueshme për shëndetin publik është një problem i madh dhe duhet të punohet më shumë për të përmirësuar komunikimin dhe koordinimin. Për Dworkin, ekziston një mundësi e madhe për të zgjeruar kujdesin shëndetësor për komunitetet në të gjithë vendin, veçanërisht në rajonet që historikisht kanë mungesë të aksesit në kujdesin shëndetësor. “Realiteti është që ne nuk kemi qasje universale në kujdesin shëndetësor – dhe ju me të vërtetë keni filluar të shihni efektet e kësaj”, thotë Dworkin.