Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për një plan ekonomik të ndihmës për vendet e goditura nga pandemia e koronavirusit.
“Pas 16 orësh bisedime, kemi ardhur pranë një marrëveshjeje, por nuk e kemi arritur”, tha përmes një postimi në Twitter presidenti i Eurogrupit, Mario Centano.
Eurogrupi do t’i vazhdojë bisedimet më 9 prill, shtoi ai. Ministrat i kanë nisur bisedimet më 7 prill, përmes video-konferencës.
Synimi është pajtimi për masa të mëtejshme fiskale, që do të luftonin ndikimin e pandemisë në rrafshin socio-ekonomik.
Në tryezë është një shumë me vlerë gjysmë trilioni euro, tha Centeno.
Mosmarrvëshja kryesore është nëse kjo shumë duhet emëruar si borxh i përbashkët, apo “korona-bono”.
Disa vende me borxhe të larta, sidomos Italia dhe Spanja, kërkojnë solidaritet nga Evropa dhe ndarje të barrës përmes borxhit të përbashkët.
Por, vendet e pasura, si Gjermania, Holanda, Austria dhe Finlanda, refuzojnë ndarjen e borxheve sovrane.
Banka Qendrore Evropiane ka ndarë tashmë 750 miliardë euro për të blerë borxhet e qeverive dhe të korporatave në Eurozonë dhe për të lehtësuar ndikimin e shpërthimit të koronavirusit./rel