Brazili ka regjistruar më shumë se 4 mijë persona që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit si pasojë e koronavirusit.
Sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit. Spitalet janë të mbipopulluara, ndërsa pacientët vdesin teksa qëndrojnë në pritje për të marrë shërbim. Numri i viktimave ka rritur në 337 mijë që prej fillimit të pandemisë.
Por pavarësisht situatës tejet të rëndë të Covid-19 me të cilën po përballet Brazili, Presidenti i vendit Jair Bolsonaro vazhdon të kundërshtojë çdo masë shtrënguese për të ndalur përhapjen e infektimeve.
Ai thotë se dëmi që do t’i shkaktohet ekonomisë do të ishte më i keq se pasojat e virusit Covid-19.
Duke folur përpara mbështetësve të tij, Bolsonaro kritikoi karantinimin e popullsisë, duke thënë se shkakton mbipeshë dhe depresion. Por nuk bëri asnjë koment për 4195 persona që humbën jetën në 24 orët e fundit për shkak të Covid.
Sipas Ministrisë braziliane të Shëndetësisë, deri tani në vend janë regjistruar më shumë se 13 milionë raste infektimi.