“Shqetësim, korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit”
Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2023 të publikuar këtë të hënë, në pjesën për Shqipërinë thuhet se shqetësime mbeten mangësitë në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit; mungesa e mediave të pavarura dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale.
Megjithatë Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Në lidhje me korrupsionin, Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizon se në përgjithësi qeveria shqiptare e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë, por edhe që ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si detyra shtetërore.
Në raport thuhet se korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe drejt dhënies fund të mosndëshkimit.
DASH përmend arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për korrupsion. Ndërsa për zgjedhjet e 14 Majit citohet raporti i ODIHR-it që i konsideroi “në përgjithësi ishin të administruara mirë, konkurruese dhe paqësore” duke renditur edhe disa shqetësime.