Renditet mes 12 personaliteteve nga mbarë bota
Ish-Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani është renditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit në listën mes 12 kampionëve të antikorrupsionit në mbarë botën. Në deklaratën e shpërndarë nga DASH-i thuhet se administrata e Presidentit Biden është e vetëdijshme që në këtë betejë, suksesi do të arrihet duke punuar në bashkëpunim me partnerë të përkushtuar, me individë të guximshëm që përkrahin luftën kundër korrupsionit dhe me vende që punojnë për të përmbushur zotimet e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare të antikorrupsionit.
“Për atë arsye, unë kam krijuar një Çmim të ri Ndërkombëtar për Antikorrupsionin, duke vlerësuar individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh përballë fatkeqësive të mëdha për të mbrojtur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që të ketë vënë llogaridhënie në vendet e tyre. Të nderuarit janë: Ardian Dvorani nga Shqipëria”.
Por ky çmim i dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit vjen pas akuzave publike që Presidenti Ilir Meta i bëri ish-kreut të KED-së, lidhur me procedurat e ndjekura sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Përplasja mes Metës e Dvoranit përfundoi në Komisionin e Venecias dhe dyert e SPAK-ut, ku akuza e ngritur nga Presidenti i Republikës ishte ajo për shpërdorim detyre dhe përvetësim titulli. Sipas Presidentit Meta, ish-kreu i KED-së në shkelje të ligjit e Kushtetutës shkaktoi përplasjen me Kuvendin dhe se ai qëndronte në detyrë në tejkalim të çdo afati ligjor pas përfundimit të mandatit të tij në Gjykatën e Lartë.
Por përplasja me Dvoranin u shoqërua edhe me akuza të forta mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Ilir Meta. Më 11 Qershor të vitit të kaluar KLGJ-ja vendosi të shpallë mbarimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe pak muaj më vonë ai u emërua gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Administrativ.