“Çfarë masash do merren për forcimin e rolit të policisë në raport me dhunën në familje? Sepse e shohim nga rastet e fundit se ka një rritje të saj”, deklaroi deputeti i LSI, Endrit Brahimllari.
“Nga janari në gusht janë verifikuar 2.996 raste dhune në familje, 9 prej të cilave janë mbyllur me vrasje”, tha deputeti i PD, Myslim Murrizi.
Sipas drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Altin Qato, unifromat blu nuk mund ta luftojnë të vetme këtë fenomen.
“Nga analizat tona rezulton se veç policisë janë dhe shumë aktorë socialë që ndikojnë. Shpesh herë policia ndeshet me faktet, bën veprimet proceduriale, por duhet të ketë edhe ndihma sociale për të dhunuarit. Për shembull, nëse ne nxjerrim një urdhër mbrojtjeje duhet të jenë aktorë të tjerë që të kujdesen për sigurinë e banesave, apo përkrahjen sociale”, tha Qato.
Të gjithë deputetët votuan pro marrëveshjes me qeverinë suedeze, e cila ka ofruar 3.3 milionë euro donacion për programin e policimit në komunitet, ku parashikohet edhe forcimi i masave kundër dhunës në familje.