Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili po ashtu është i përmendur në këtë rast, ka deklaruar se lënda do të transferohet te Prokuroria Speciale.
Në “Debat Plus” protagonistë të rastit, avokatë e analistë kanë diskutuar për këto audio-incizime.
Kryeredaktori në Shqip.com, Lirim Mehmetaj thotë se kanë vendosur të publikojnë përgjimet pasi protagonist që flasin në audio përbëjnë interes publik.
“U siguruam se incizimi për të dëshmuar një vepër penale është i lejueshëm”, tha Mehmetaj.
Ai shtoi tutje se deri më tani nuk ka pasur ndonjë interesim nga Prokuroria për të marrë materialin bruto.
Drejtori i Organizatës Çohu Arton Demhasaj thotë se për të ndodhur ndonjë përgjim janë disa procedura.
“Për të ndodhur një përgjim prokurori duhet të ngrit aktakuzë, e pastaj gjyqtari i procedurës paraprake duhet të lejojë të bëhet përgjimi, e më pas ky përgjim mund të përfundoj në publik siç kanë përfunduar përgjime tjera”.
Demhasaj thotë se në këto audio-incizime disa emra janë censuruar e disa tjerë jo, e që sipas tij kjo nuk është fer.
“Publiku është dashur të dëgjojë gjithçka dhe të gjithë emrat e përfolur ashtu siç kanë dalë emrat te rasti “pronto””, shtoi më tej Demhasaj.
Avokati Skender Musa thotë se publikimi nga ana e mediave e këtyre audio-incizimeve ka qenë i ligjshëm.
“Mediat e informimit kanë të drejta të mëdha në Kosovë dhe kanë pasur të drejtë të publikojnë ato incizime, por incizimi nga autori ka qenë i paligjshëm sepse asnjë person nuk ka të drejtë të incizojë apo fotografojë të tjerët pa vendim gjykate”, deklaroi Skender Musa.
Nga ana tjetër Ilir Mirena, thotë se përgjimi i publikuar së fundi nuk është i nivelit çfarë ishte bërë me rastin “Pronto”.
“Ministrja Haxhiu është dashur të bëjë presion të Kryeprokurori të merr sa më parë ato meteriale për t’u hetuar, por jo të bëjë presion te mediat për t’u marrë me këto audio-incizime”, deklaroi Mirena.
Xhevdet Pozhari thotë se po vërtetohet që në Kosovë Drejtësi nuk ka.
“Në Kosovës vetëm drejtësi nuk ka. Ka vetëm “gjepsi”. Pra sa e ki gjepin e thellë aq shoqërohesh me prokurorë. Nëse autenticiteti i audios vërtetohet ai person ka pasur qasje te strukturat më të larta shtetërore dhe biseda bëhet si në pazar”, deklaroi tutje Pozhari./Telegrafi/