Demokratët i janë drejtuar Ilir Metës me shqetësimin për reformën ligjore të dekriminalizimit. Në një shkresë drejtuar kreut të Kuvendit, Oerd Bylykbashi shkruan se “Komisioni i Posaçëm për dekriminalizimin, ngritur mbi marrëveshjen e partive të mëdha, po anashkalohet”.
Sipas deputetit demokrat, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Dekriminalizimin, në programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit, si struktura përgjegjëse për ndryshimet kushtetuese dhe hartimin e ligjit të dekriminalizimit janë përcaktuar Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve.
Për demokratët, kjo bën nul komisionin e ngritur dhe shkel marrëveshjen e 24 dhjetorit. Ndaj, Selia Blu i kërkon Ilir Metës të heqë nga përgjegjësia e ndryshimeve ligjore këto dy struktura parlamentare, që do të kishin detyrimin e hartimit të drafteve për dekriminalizimin vetëm në rast se nuk do të kishte një komision të posaçëm të ngritur pikërisht për këtë çështje.
Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës, të kontaktuar nga Top Channel, mohojnë anashkalimin e komisionit. Sipas tyre, ndryshimet kushtetuese janë të detyrueshme të kalojnë në Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. Ky është hapi i parë, sipas tyre, që do të mundësojë hartimin e paketës së plotë ligjore për dekriminalizimin.
Me futjen e tyre në kalendarin e punimeve dhe programin e Kuvendit, në të kundërt nga pretendimi i demokratëve, po tregohet gadishmëria për të ecur shpejt me këtë proces, thonë socialistët. Ata shtojnë se komisionit të posaçëm nuk i është hequr asnjë detyrim për të hartuar legjislacionin që do të pengojë personat me rekorde kriminale të marrin poste publike.
Letra e Bylykbashit vjen vetëm pak javë pasi palët shpallën arritjen e konsensusit në Konferencën e Kryetarëve, që për çdo mosmarrëveshje për përmbajtjen e draftit të dekriminalizimit zgjidhja do të jenë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndërsa u shua ky debat për përmbajtjen, palët po ngrenë tani mosmarrëveshjet e anës proceduriale, atë se si dhe ku do të bëhen ndryshimet ligjore.