Dekriminalizohet parlamenti, aleanca me krimin informalizohet

 

Parlamenti shqiptar ka miratuar ligjin për dekriminalizimin i cili mori shkas nga përfshirja në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste të disa kandidatëve me predentë kriminalë. Të dyja selitë diplomatike më të rëndësishme në Tiranë, ajo e ShBA-së dhe e Bashkimit Europian, kanë vlerësuar ligjin si një akt të guximshëm të politikës. “Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimi. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë. Ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga opozita, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend”, thuhet në deklaratën e ambasadës së ShBA. Edhe misioni i BE-së ka përshëndetur vendimin duke bërë thirrje për të vijuar bashkëpunimin. Në planin e brendshëm, fitorja i shkon opozitës e cila e inicioi nismën dhe evidentoi rastet e përfshirjes në politikë të deputetëve me precedentë si dhe të kandidatëve për pushtetin vendor. Në fillim mazhoranca, sidomos PS-ja refuzoi të pranonte termin dhe procesin ligjor, madje edhe sot nënkryetari i Grupit Parlamentar, Tulant Balla u shpreh se “politikën e pastron reforma në drejtësi dhe jo ligji për dekriminalizimin”. Një mesazh shantazhues për Sali Berishën ky dhe për Bashën, ndonëse ligji për dekriminalizimin spastron me hyrjen në fuqi të tij një pjesë të grupit socialist.

Leave a Reply