Bisedime për heqjen e vetos turke ndaj tyre në NATO
Delegacionet e Suedisë dhe Finlandës zbarkuan këtë të Mërkurë në Turqi për të bindur Ankaranë të heqë veton ndaj anëtarësimit të tyre në NATO. Delegacionet e ministrive të jashtme të dy vendeve i priti Ibrahim Kalini, zëdhënësi i presidentit turk dhe zv.ministri i jashtëm Sedat Onal.
Në të njejtën ditë, kryediplomati turk Mevlut Çavushollu vizitoi Izraelin, një një vizitë që synon forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike.
Zyrtarët turq i renditën 5 kushte kolegëve suedezë e finlandezë për heqjen e Vetos. Stokholmi dhe Helsinki duhet të reshtin së mbështeturi politikisht, financiarisht e materialisht grupet kurde si dhe të heqin embargon e armëve për Turqinë, të vendosur në 2019 për shkak të tyre.
Finlanda dhe Suedia dorëzuan aplikimin për në NATO më herët gjatë këtij muaji, me synimin që aplikimi i tyre të shtrohet për shqyrtim në samitin e radhës, të Qershorit në Madrid.