Zv.rektori i Universitetit të Tiranës, por edhe një prej anëtarëve të Komisionit për Arsimin e Lartë, Ervin Demo, ka sjellë argumente përse nuk duhet të miratohet kapitulli 12 i projektligjit të Arsimit të Lartë, i cili në shtratin e tij ka mjaft risi të shëndetshme për forcimin e arsimit, por edhe disa dritëhije e hapësira për abuzim.
Demo sqaron se nuk mund të kërkohet që me fondet e publikut të financohen institucionet e arsimit të lartë privat.
“Barazia mes institucioneve publike dhe private nuk mund të jetë në financim. Ata të cilët mbështesin këtë tezë, për mua, janë të verbër dhe nuk u intereson se çfarë do të ndodhë në këtë vend. Në Portugali nuk është parë se si universitetet private do të bëhen publike. Asnjëherë një universitet privat nuk do të bëhet publik”, thotë Demo.
Ministria e Arsimit është shprehur se kjo është një formë që e kanë aplikuar në Portugali dhe që Shqipëria mund ta zbatojë pas dy vitesh. Por, sipas Demos, në Portugali janë financuar vetëm universitetet publike dhe jo ato private.
Komisioni ka kërkuar që, nëse do të kemi krijimin e institucioneve të pavarura, duhet të kalojnë të paktën 3 deri në 5 vjet nga zbatimi i ligjit. Kjo formë menaxhimi, thotë Demo, është ndërmarrë në një kohë kur universitetet publike në Portugali shpenzonin 4 mijë euro për student dhe jo 600 sa shpenzohet sot në Shqipëri.
“Në Portugali kur u ndërmor kjo reformë, që u kërkua nga OECD-ja, u kërkua që universiteteve publike t’u jepej një shkallë më e lartë fleksibiliteti qeverisëse, nga pikëpamja e qeverisjes organizative dhe kjo u pa si një mënyrë për t’u kthyer në realitet, duke kaluar në nivel fondacioni”, deklaron Demo.
Edhe pse Komisioni ka qenë kundër, Ministria ka ndryshuar pikën C të nenit 117, ku lejon që universitet private mund të përfitojnë fonde nga publiku, pa hequr dorë nga asetet e tyre.
“Është hequr një kriter që nga Komisioni ishte shprehur shumë qartë që, nëse do të ketë një mënyrë të tillë që mund të ndodhë nesër, një universitet privat detyrimisht duhet të transferojë pronësinë e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme që ka në funksion një institucion i arsimit të lartë, ta kalojë në pronësi të institucionit në vetvete. Tashmë aty është e qartë. Ne mund të rrotullohemi sa të duam, por kjo absolutisht nuk është e përfshirë në ligj. Në mënyrën se si është shkruar potencialisht, nesër një institucion privat mund ta kërkojë atë gjë, sepse e vetmja gjë që detyrohet të bëjë është të regjistrojë në gjykatë një fondacion dhe atë fondacion e krijon me 1 lek, ose me 5 milionë dollarë, është në të drejtën e vet dhe në momentin që e themelon shkon troket në një derë tjetër dhe merr statusin e institucionit të pavarur të arsimit të lartë publik. Unë besoj se kjo është e rrezikshme dhe e parakohshme”, deklaron zv.rektori.
Demo sqaron se, ligji në tërësi ndihmon në ngritjen e një formë të re menaxhimi të universiteteve ku ato të gëzojnë vërtet autonomi. Por ky kapitull, sipas Demos, duhet të hiqet, pasi është tërësisht i rrezikshëm dhe lë vend për abuzime.