Demokratët votojnë sot për kryetarin e ri

Rreth 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur sot për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë.

Në garë për kreun e ri të selisë blu janë katër kandidatë, kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha, i cili sfidohet nga Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00 të pasdites, ndërkohë që numërimi i votave do të kryhet pranë qendrave të votimit.

Në Tiranë, drejtuesit e lartë të partisë, Kryesisë, anëtarët e grupit parlamentar dhe ata të Këshillit Kombëtar po votojnë në qendrën e hapur në selinë qendrore, ndërsa anëtarët e degëve pranë zonave të tyre.

Deri më tani procesi ka vijuar normalisht, ndonëse kandidati Agron Shehaj nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka folur për parregullsi dhe presione në zgjedhje për të cilat thotë se po mblidhen fakte e të dhëna.

Deklaratat e kandidatëve:

Gjatë fjalës së tij pasi votoi në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se procesi i zgjedhjeve në PD është unik dhe se lufta do të vijojë deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi.

“Së pari, dua të falënderoj mediat për mbulimin që po i bëjnë këtij procesi unik. Dua të falënderoj gjithë demokratët anembanë Shqipërisë. Po ashtu ata që janë në këtë kujdestarë të procesit, komisionerët, vëzhgues, në këtë proces unik të vlerave tona, të vlerave të demokratëve, të zgjedhjes së kryetarit. Këto janë vlerat tona, të demokracisë, të shprehjes së lirë, të konkurrencës dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë e shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në fund, deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.

Kandidati tjetër, Fatbardh Kadilli, tha se gara u mbyll në mënyrë të pabarabartë.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për PD dhe anëtarët e saj. I fto të marrin pjesë në votim sepse tregojmë që e duam këtë parti, që duam që të ringrihet dhe ringritja fillon sot ku çdo anëtar merr përgjegjësitë e veta për t’iu përgjigjur detyrimit për të votuar lidershipin e ri. Është një garë që u mbyll siç u nis, e pabarabartë por është një garë për të cilën jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Iu rikthye gara PD-së falë kurajos dhe propozimit. Ky është kontributi im i parë, në vazhdim manifesti politik për projektin e PD-së do jetësohet dita ditës për ta bërë partinë atë që duam, një parti e pastër, e hapur dhe e bashkuar”, tha ai.

Kandidati Agron Shehaj i ka bërë thirrje demokratëve që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’ua heqë ttë drejtën. Ai ka zgjedhur që të flasë për procesin zgjedhor përmes një postimi në Facebook, ku renditi të gjitha parregullsitë në procesin zgjedhor brenda partisë.

“Jemi duke monitoruar më vëmendje gjithë procesin zgjedhor. Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit tanë që pavarësisht parregullsive dhe presioneve, të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike. Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin. Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati. Gjithashtu, në degët e mëposhtme, vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë të votojnë apo jo. Pra nëse janë në lista apo kanë kartë anëtarësie.Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat. Madje në Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll. Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së. Së fundmi, na njoftuan që në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë. Votimet në PD kanë filluar me një standard demokratik shume të ulët. Iu bëj thirrje komisionerëve dhe drejtuesve të partisë të mos i kthejnë zgjedhjet në një farsë elektorale. Iu bëj thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar”, shkruan ai.

Zgjedhjet në PD, Gjana: Procesi ka vijuar normalisht

17.2% e anëtarëve të PD-së kanë marrë pjesë në zgjedhjet që po bëhen për kryetarin e partisë. Kryetari i komisionit të zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, bëri publike rezultatin paraprak të pjesëmarrjes deri në orën 10:30. Gjana tha se nuk ka pasur probleme gjatë procesit të votimit. Edhe në ato raste ku ka pasur ndonjë ndërprerje sipas tij, ai u shpreh se janë marrë vendimet përkatëse që të vijojë procesi.

Jemin Gjana: Me të dhënat e orës 10:30 pjesëmarrja është 12 928 anëtarë që kanë votuar. Çfarë do të thotë një shifër që shkon tek 17.2%. Janë të dhënat e para një ore. Procesi përgjithësisht ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa. Në dy te raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt qartësimi të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vijuar.

Mbrëmë deri në 00:30 ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit. Kanë mundur t’i plotësojë disa ditë më parë zoti Basha. Dje pasdite kandidati Kadilli ka përmbyllur të gjithë komisionet me përfaqësuesit e tyre. Me kandidaten Harxhi deri në orën 12 mbrëmë kemi mbyllur të gjitha emrat e përfaqësuesve të saj në komisione. Ajo ka lënë disa vende bosh, nuk ka përfaqësi në 10 apo 12 komisione për të cilat ka pasur dakordësinë që s’ka përfaqësim. Kemi patur probleme në 7-8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, Për arsye se erdhën disa propozime që u rrëzuan nga Komisioni. Arsyeja ka qenë e qartë, ose kanë pasur kartë anëtarësie dhe nuk kanë qenë në listën e anëtarëve, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër. Nuk është pranuar që vëzhguesi i Shehajt në Kavajë të jetë anëtar partie i Rrogozhinës. Jo se nuk ka përfaqësim, por ka kritere saktësisht të përcaktuara, për të cilat komisioni ka marrë vendimet përkatëse.

Rikthim në krye të PD? Berisha: Jam konsistent në deklarata

Në zgjedhjet që po zhvillohen këtë të diel për kryetarin e ardhshëm të PD-së, ka votuar edhe lideri i saj historik Sali Berisha. Në fund, ish-kreu i PD-së është pyetur nga gazetarët rreth deklaratës që bëri disa ditë më parë ku nuk përjashtoi rikthimin e tij në drejtimin e selisë blu. “Jam konsistent në deklatrata”, tha Berisha.

Po ashtu, ai nuk zbuloi se cilën nga kandidatët ka votuar duke iu përgjigjur gazetarëve: Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, por sekretet e sekreteve. Ndër të tjera, Berisha u bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të marrin pjesë në votime dhe tha se PD-ja në fund të procesit del më e bashkuar.

Sali Berisha: Të marrin pjesë sa më shumë në këtë proces votimi. Mesazhi sot është pjesëmarrja në votim. Po zhvillohet një proces që duhet ta vazhdojmë.

Gazetari: Në gjykimin tuaj, kjo garë e nxjerr më të bashkuar apo ka rrezik përçarje të kësaj force politike?

Sali Berisha: Besoj se pasi kam shprehur qëndrimin tim, besoj se kjo nuk do të nxjerrë më të ndarë, por më të bashkuar. Kandidatë kanë shprehur pikëpamjet e tyre. Kandidatët janë zotuar që do të vazhdojnë pavarësisht nga rezultati përpjekjet e tyre për PD-në dhe vendin.

Gazetari: A kishte dilema zoti Sali Berisha tek fleta e votimit?

Sali Berisha: Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, por sekretet e sekreteve.

Gazetari: I qëndroni deklaratës suaj se nuk e përjashtoni një rikthim në krye të PD-së?

Sali Berisha: Unë jam konsistent në deklaratat e mia. /tvklan.al

 

Leave a Reply