Një adoleshent 15-vjeçar në Kolumbi, i cili qëlloi me armë dhe plagosi për vdekje senatorin e djathtë dhe kandidatin potencial për president, Miguel Uribe, më 7 qershor, u dënua dje (të mërkurën) me 7 vite burgim, njoftoi prokuroria kolumbiane.
I riu do të vuajë dënimin fillimisht në një qendër të specializuar rehabilitimi për të mitur dhe nuk do të transferohet në burg për të rritur deri në moshën 18-vjeçare, sqaroi prokuroria.
Miguel Uribe, 39 vjeç, një figurë e njohur e së djathtës dhe favorit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, u qëllua dy herë në kokë teksa mbante fjalim para mbështetësve në Bogota në fillim të qershorit. Pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, ai ndërroi jetë më 11 gusht, si pasojë e komplikacioneve nga plagët.
Autori adoleshent, i cili u arrestua menjëherë pas sulmit, u akuzua për “tentativë vrasjeje”, “mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve”. Ligji kolumbian nuk parashikon ndryshim të akuzës pas vdekjes së viktimës, prandaj ai u dënua për tentativë vrasjeje, jo për vrasje.
Autoritetet dyshojnë se i riu ishte një ekzekutues i përdorur nga persona të tjerë që qëndrojnë pas sulmit. Më 5 korrik, policia njoftoi arrestimin e Jose Arteaga Hernandez, drejtues i një bande kriminale në Bogota dhe i dyshuar si organizatori i atentatit.
Avokati i familjes së viktimës, Victor Mosquera, deklaroi se sulmi ishte pjesë e një veprimtarie të organizuar me motive politike, duke theksuar se grupi kishte sulmuar më parë figura të djathta politike.
Hetimet sugjerojnë përfshirjen e “Segunda Marquetalia”, një fraksion i disidentëve të ish-lëvizjes guerile FARC.
Miguel Uribe ishte senator i partisë konservatore “Qendra Demokratike”, themeluar nga ish-presidenti Alvaro Uribe (pa lidhje familjare mes tyre), dhe kishte shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të majit 2026. Pas vdekjes së tij, babai i tij, Miguel Uribe Londoño, 79 vjeç, biznesmen, ka njoftuar synimin për të marrë pjesë në garën e brendshme partiake për të zëvendësuar të birin.


