Deputetja e Kuvendit të Kosovës Donika Kadaj ka dalë pozitive me koronavirus. Ajo e ka bërë publik rezultatin e tamponit me anë të një statusi në rrjetet sociale.
Kadaj thotë se bashkë me të kanë rezultuar pozitivë edhe dy fëmijët e saj, dhe tashmë janë vetëizoluar.
“Të dashur miq, dje kam rezultuar pozitiv në testin për Covid-19. Njëjtë sikur unë, edhe dy fëmijët e mi, Dardani e Doruntina.
Prej se e kemi marrë testin jemi vetëizoluar dhe do të qëndrojmë kështu duke respektuar rekomandimet e IKShPK, të cilët i falënderoj për punën e pandalshme e të palodhshme.
Është momenti ta ruajmë njëri-tjetrin, duke ndjekur veç tre hapa: mbajtje të maskës, mbajtje të distancës dhe mbajtje të higjienës personale”, shkruan ajo.
Pak ditë më parë në Kosovë rezultoi pozitiv me koronavirus edhe kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa u shërua kreu i LDK Isa Mustafa.