Detaje nga arrestimi i Amar Shkëmbit në Abu Dhabi: U vëzhgua për 2 javë, si u zbulua kush ishte

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka mësuar se Amar (Dritan) Shkëmbi, i arrestuar një ditë më parë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe është mbajtur për rreth 2 javë në vëzhgim nga autoritetet vendase.

Gjatë momentit të ndërhyrjes nga policia ka bërë rezistencë dhe ka qenë pa mjet identifikimi me vete. Pas kësaj është shoqëruar për verifikim dhe pas krahasimit të shenjave të gishtave me të dhënat që ka dërguar Policia e Shtetit atje që më herët, ka rezultuar se ishte shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal për atentatin në Shqipëri më 1 Nëntor 2019.

Ekstradimi i tij drejt Tiranës mund të bëhet në vijim vetëm me një vendim të gjykatës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas burimeve nga policia, ekziston një marrëveshje ekstradimi në bazë të disa konventave ndërkombëtare, të cilat mund të interpretohen nga gjykata atje për t’i dhënë dritën jeshile ardhjes së Shkëmbit në Shqipëri.

Amar (Dritan) Shkëmbi, ditën e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe edhe si Rumi, dyshohet se ka qenë në automjet. Këtë hetuesit e kanë mësuar shpejt në atë kohë, edhe pse po atë ditë ka rezultuar jashtë territorit të Shqipërisë referuar sistemit TIMS, duke ngjallur dyshime për njerëz brenda radhëve të bluve që mund ta kenë ndihmuar.

Më herët, SPAK ka bërë të ditur se atentati në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.

Në rolin e qitësit, SPAK thotë se ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në makinën e përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj. Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen.

Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 6 prej të cilëve u arrestuan.

Të arrestuar:

Bashkim Haxhija

Marsel Decka

Endrit Sinani

Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku

Juljan Pjetri

Amar (Dritan) Shkëmbi

Në kërkim:

Plarent Dervishaj

Julian Meçaj

Ramazan Rraja

/tvklan.al

Leave a Reply