Kliti Leka, autori i vrasjes së ndërtuesit Niko Goro mëngjesin e sotëm ka rrëfyer se përse e vrau 51-vjeçarin.
Top Channel mëson se arsyeja ka qenë një tokë që Leka i kishte biznesmenit, ku ky i fundi akoma nuk i kishte dhënë lekët.
“I kam dhënë tokën e s’më ka dhënë lekët prandaj e qëllova”, ka thënë autori.
Pas 1 ore arrati, Kliti Leka u kap nga forcat blu në plazhin e Livadhit, në Himarë. 53-vjecari është me origjinë himariot por banon në Tiranë.
Vetëm pas 1 ore nga atentati i ndodhur, autori 53-vjeçar Kliti Leka me banim në Tiranë është kapur nga forcat blu. Policia ka sekuestruar armën e dyshuar të krimit, armë zjarri kallashnikov dhe automjetin me të cilin u largua bashkë me persona të tjerë.
Ndërtuesi 51-vjeçar Niko Goro mbeti i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në mes të Himarës në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille rreth orës 9 të mëngjesit të sotëm.
Ai ka qenë duke qëndruar pranë marketit të së motrës, e identifikuar si E. Q., 57 vjeçe, e cila ka mbetur e plagosur në këmbë, pasi i ka dalë të vëllait para për ta mbrojtur. Fatmirësisht ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një person i maskuar i paidentifikuar akoma ka dalë nga makina dhe ka qëlluar ndaj Niko Goros. Autorët e atentatit kanë qenë me një makinë tip “Tuareg”, të cilët pasi kanë qëlluar janë larguar me shpejtësi.
Pika kontrolli janë ngritur në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë, ndërsa në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e Vlorës.
Njoftimi i policisë:
Policia në kohë rekord kap gjatë ndjekjes autorin e dyshuar të vrasjes së 51 vjecarit N.G. Si rezultat i reagimit në kohë dhe ndjekjes së pandërprerë të autorit, u bë e mundur që në vendin e quajtur “Livadhet”, të kapjen dhe prangosej autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi Kliti Leka , 53 vjeç, banues në Tiranë Policia ka sekuestruar armën e dyshuar të krimit, armë zjarri kallashnikov dhe automjetin me të cilin u largua autori. Autori po shoqërohet për në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.