Deutsche Welle: Gazetarët shqiptarë kundër paketës antishpifje të qeverisë

Organizatat e mediave dhe gazetarët në Shqipëri i konsiderojnë projektligjet e paketës antligjore si cënim të lirisë së shprehjes. Ato kanë paralajmëruar ndërkohë edhe protesta.

Dy projektligje të paketës ligjore antishpifje të miratuara në qeveri  po kundërshtohen nga organizata të gazetarëve, shoqërisë civile dhe drejtues të portaleve online. Këshilli Shqiptar i Medias doli të premten, (13.12.2019 ) me një deklaratë të përbashkët, ku i bën thirrje Parlamentit “ta rrëzojë këtë paketë ligjore, nëse qeveria nuk e tërheq atë,” thekson deklarata. Dy projektligjet e kësaj pakete, njëri për Autoritetin e Mediave Audio Vizuale, (AMA) dhe tjetri për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP) sipas gazetarëve dhe shoqërisë civile cënojnë rëndë lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Kritika: AMA shndërrohet në një agjenci censure, AKEP në agjenci përmbarimi

Paketa ligjore antishpifje është miratuar ditët e fundit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe javën e ardhshme kalon për votim në Parlament. Ajo parashikon që AMA të shqyrtojë brenda 48 orëve ankesa të individëve, bizneseve, institucioneve, kur ato pretendojnë se ndaj tyre është shpifur, cënuar dinjiteti dhe privatësia nga mediat tradicionale dhe ato online. AMA merr të drejtën t’u vendosë gjoba që shkojnë deri në 8 mijë Euro, nëse mediat nuk reagojnë. AKEP hyn në lojë, kur ndaj këtyre mediave vendos pop ups që shfaqen sa herë klikohet në websitet apo portalet e tyre. Në pop ups, që shfaqen sa herë dikush klikon, AKEP merr të drejtën të shkruajë që media ose portali në fjalë ka shpifur ose cënuar dinjitetin e individit, biznesit, institucionit. Në rast se media apo portali edhe pas pop ups nuk reagon, atëherë AKEP ka kompetencën që të mbyllë sinjalin edhe përmes operatorëve që ofrojnë shërbime interneti, (Internet Service Providers, ISP) të bllokojë domenin e websiteve të caktuara duke bërë të pamundur aksesin e publikut tek ato në territorin e Shqipërisë.

Qeveria dhe maxhoranca socialiste i përligj ndryshimet ligjore për AMA dhe AKEP me domosdoshmërinë e rregullimit të shërbimeve që ofrojnë publikimet elektronike nisur nga rritja e ndikimit të tyre në shoqërinë shqiptare. Maxhoranca socialiste e mbron këtë paketë duke argumentuar, se paketaligjore antishpifje siguron mbrojtjen e fëmijëve nga pornografia dhe pedofilia, mbrojtjen e të dhënave personale, lufton postimet terroriste dhe forcon sigurinë kombëtare. Paketa ligjore anti shpifje është hartuar me mbështetjen e ekspertëve nga vende të BE, mbështetur kryesisht në modelin kroat.

Analisti i pavarur, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë tha për DW se të “dy projektligjet cënojnë lirinë e shprehjes, përmes mekanizmave që qeveria i konsideron rregulluese”. “AMA me atributet që i jep paketa antishpifje për mediat tradicionale dhe të reja krijon premisa të plota të shndërrohet në një agjensi censure. Aq më tepër AMA ka një histori të gjatë anshmërie dhe përdorimi politik. Në projektligj masat administrative që merr Këshilli i Bordit të AMA ekzekutohen pa shkuar në Gjykatë, gjë që shkel një të drejtë themelore të individit”,  thekson për DW, Aleksandër Çipa.

Autocensurë dhe targetim i medias kritike

Kristina Voko, Drejtore e Balkan Investigative Reporting Network, (BIRN) për Shqipërinë thotë për DW, se pasojat negative të paketës ligjore në fjalë janë të shumëfishta. “Paketa nxit autocensurën e gazetarëve. Nëse një gazetar është nën kërcënimin e gjobave që janë disafish më të mëdha se paga e tij mujore, ai do të priret ndaj të ashtuquajturave “lajme protokollare”, që vështirë, se ofrojnë informim të mjaftueshëm dhe cilësor për opinionin publik. Në kushtet kur gjobat, me të drejtë ose jo, ekzekutohen menjëherë nga AMA gazetarët do të duhet të parashikojnë sekuestrimin e llogarive të tyre bankare pas çdo shkrimi që mund të cënojë “dinjitetin dhe privatësinë” e një zyrtari apo një biznesi. Projektligji nuk bën ndonjë dallim të qartë mes një mediaje apo një blogu personal apo kolektiv dhe në këto kushte kushdo është i rrezikuar. Paketa ligjore synon krijimin e një mekanizmi të shpejtë dhe efikas për të ndëshkuar mediat kritike ndaj qeverisë. Putini miratoi nw mars të këtij viti një ligj të ngjashëm,” tha pwr DW, Kristina Voko.

Anashkalimi i gjykatës – është i papranueshëm

Enton Abilekaj, gazetar, drejtor i portalit online Dosja.al thotë për DW, se paketa antishpifje i heq gjykatës të drejtën e gjykimit dhe ia jep AMA-s, një enti administrativ. AMA merr kompetencat e një gjykate që vendos, nëse lajmi duhet botuar ose jo, nëse portali ka shkelur ose jo ligjin, kodin etik, nëse duhet gjobitur, bllokuar aksesin ose jo. AMA gjykon, AKEP zbaton. Dy institucionet shndërrohen në gjykatë dhe përmbarim. Anashkalim i gjykatës është i papranueshëm. Paketa antishpifje duhet të kthehet mbrapsht. Ajo cënon lirinë e shprehjes  të ҫdo qytetari që mund të publikojë ҫfarë mendon në faqet e medias së tij sociale apo plarformat online, cënon të drejtën e informimit.” thekson Enton Abilekaj.

Ai thekson se Shqipëria ka një ligj shumë të mirë dhe institucione për të luftuar shpifjen që janë më të përgatitura se AMA. Për më tepër dy projektligjet nuk mund të zgjidhin problemet reale të medias on line, që janë vërtetësia e informacionit dhe shkelja e etikes. Komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile në Shqipëri paralajmëroi të premten një valë protestash nëse 2 projektligjet miratohen nga Parlamenti në seancën e fundit plenare të këtij viti, javën e ardhshme më 19 dhjetor./DW

Leave a Reply