Sulme masive ndaj policisë pas arrestimit të djalit të “El Chapo-s”
Dhuna dhe kaosi përfshinë gjithë shtetin federal të Sinaloas në Meksikë, pas arrestimit Olvidio Guzman- Lopezit, djalit të El Çapos dhe disa familjarëve të tij mëngjesin e të Enjtes.
Dhuna mbretëroi edhe këtë të premte, kryesisht në qytetin e Kuliakanit, ku pjesëtarët e një prej karteleve më të mëdhenj të drogës në Meksikë sulmuan policinë me armë dhe eksplozivë.
Shkollat janë mbyllur, ndërsa autoritetet u bënë apel qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë. Një linjë ajrore meksikane tha se një aeroplan i saj u godit nga plumbat përpara se të ngrihej.
Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit u bënë thirrje shtetasve amerikanë në këtë vend të bëjnë kujdes maksimal, ndërsa qytetarëve të tjerë të shmangin udhëtimet drejt Sinaloas.
Guzmán akuzohet se ka udhëhequr një nga fraksionet e kartelit famëkeq të Sinaloas pas arrestimit të babait të tij. Operacioni është mbështetur edhe nga forca amerikane dhe i riu është transferuar në një kryqeytetin Meksiko.
Ai u arrestua edhe në vitin 2019, por u lirua pasi autoritetet iu frikësuan shpërthimit të dhunës. Babai i tij Joaquín “El Chapo” Guzmán, po vuan një dënim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për trafik droge dhe pastrim parash.