Burime jozyrtare njoftuan se drejtori i Shërbimit Informativ e ka paraqitur që te premten dorëheqjen te Presidenti i Republikës, Ilir Meta, por motivet e dorëheqjes ende nuk dihen.
Visho Ajazi Lika u emërua në postin delikat 5 vite më parë, në gusht të 2012-ës, por ligji përcakton se mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ është i pakufizuar, duke lënë vetëm dy opsione për largimin e tij: ose me vendimmarrje personale të drejtorit të SHISH-it, ose me konsensus Kryeministri-Presidencë.
Vetë Bujar Nishani, që me emërimin e Visho Ajazi Likës si kreu i SHISH nisi zyrtarisht Presidencën e tij, pati argumentuar në atë kohë se një kryeministër nuk mund të ishte në pozicion jokomod pune me kreun e Shërbimeve. Një referencë e qartë për Bahri Shaqirin, me të cilin, Sali Berisha ishte në konflikt të hapur pas ngjarjeve të 21 Janarit.
Por Edi Rames dhe Ilir Metës u duhet të bashkëpunojnë edhe për të emëruar drejtorin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Kryeministri ka qenë mesditën e të hënës për rreth 30 minuta në zyrën e Presidentit, ku ka paraqitur si propozim për emërimin në këtë detyrë të zëvendës drejtorit aktual Helidon Bendo, i cili punon prej 21 vjetësh pranë Shërbimit.
Ligji i jep kompetencë presidentit për të refuzuar propozimin e Kryeministrit për emrin e Shefit të Shërbimit Sekret, nëse nuk kanë konsensus. Propozimi i Helidon Bendos, siç pohojnë për Top Channel jozyrtarisht burime të larta qeveritare, nuk ka shkuar në tavolinën e metës përmes një negociate mes kreut të Qeverisë dhe Presidentit.
Top Channel