Një zjarr i fuqishëm ka shkatërruar mbrëmjen e së premtes një nga tregjet e qytetit bregdetar të Durrësit.
Zjarrfikësit kanë mundur të shmangin përhapjen e zjarrit, në pallatin ngjitur me tregun dhe ndërtesat e tjera përreth, ndërsa policia ka evakuuar përkohësisht banorët dhe ka bllokuar lëvizjet në rrugë për të shmangur incidentet.
Tregu, ku kryesisht tregtoheshin veshje dhe këpucë të dorës së dytë, ndodhej pranë ish-Rajonit të Policisë së qytetit, në ambientet e ish-NTU-së.
Flakët kanë shkrumbuar gjithçka, por nuk janë regjistruar persona të lënduar, pasi objekti ka qenë i mbyllur. Në vendin e ngjarjes, banorët tregtojnë se kanë dëgjuar një shpërthim, që është pasuar nga tymi dhe flakët.
Pas shuarjes së zjarrit, një grup hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit. Burime policore bëjnë të ditur se, përveç një zjarri aksidental, hetimet do të përqëndrohen edhe te një zjarrvënie e qëllimshme, që mund të ketë lidhje me interesat për ndërtim në këtë sipërfaqe.