Ata janë dy djem rusë që imituan ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenkon dhe me një telefonatë arritën të trazojnë situatën politike në Ballkan.
Pas publikimit të bisedave me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, atë të Kosovës Ramush Haradinaj, dhe tentativave për të folur edhe me presidentin Hashim Thaçi, doli në pah se dy komedianët, e njohin mirë situatën në Ballkanin Perëndimor.
E një gjë e tillë ka shtuar dyshimet se kush qëndron në të vërtetë pas telefonatave false.
Dyshja humoristike janë Vladimir Kusnezov dhe Aleksej Stoljarov. Në një analizë të fundit, Dojçe Vele shkruan se komedianët në tërësi nuk prekin politikanët ruse. Po ashtu ata kanë akses tek numrat e telefonit të politikanëve të nivelit të lartë. Kjo shton dyshimet se ata mund të jenë pjesë e shërbimeve sekrete.
Këtë dyshim e ka shprehur edhe Svjatoslav Zeholko, zëdhënësi i shtypit i presidentit Poroshenko.
Në vitin 2016 komedianët u përpoqën që “Nju York Times” të botonte një intervistë te rreme me Poroshenkon. Por reporterët e kësaj gazete pyetën zyrën e shtypit të presidentit dhe gënjeshtra doli në pah. Në atë kohë për këtë tentativë u akuzuan shërbimet sekrete ruse por komedianët mohuan gjithçka.
Fakt mbetet se dy rusët, me telefonatat e tyre ja arritën të krijojnë tension politik në Ballkan, veçanërisht mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi në biseda flitej për shkëmbimin e territoreve si dhe për interesat ruse në rajon.
Pre e telefonatave të komedianëve apo agjentëve të dyshuar rus nuk kanë rënë vetëm liderët e Ballkanit. Edhe figura të tjera të politikë, artit dhe sportit, kanë rënë në rrjetën e tyre.