Dy persona janë gjetur pa shenja jete në këtë banesë që shihni në pamje, në rrugën “Marije Kraja” në kryeqytet. Viktmat janë Altin Maksuti, 47 vjeç, i cili është pronari i banesës dhe Vladimir Bengu, i afërm i tij, 56 vjeç që sipas policisë dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë.
Grupi hetimor dyshon se shkak të jetë bërë rrjedhja e një bomble gazi që shërbente për ngrohje. Kanë qenë të afërm të dy viktimave që kanë njoftuar policinë pas disa tentativave të dështuara për t’u lidhur në telefon me ta.
Pronari i banesës jetonte në Greqi dhe kishte shkuar në banesë së bashku me kushëririn e tij për të kryer disa riparime dhe më pas të dy dyshohet se janë shtrirë për të fjetur gjumë.
Gjatë kësaj kohe, dyshohet të ketë rrjedhur dhe gazi nga paisja ngrohëse. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar orën e saktë kur kanë ndërruar jetë, Altin Maksuti dhe Vladimir Bengu, policia po vijon verifikimet, si dhe po merr në pyetje familjarët e viktimave.