Sërish Komisioni Europian ka hedhur në gjyq Poloninë para Gjykatës Europiane për shkak të reformës së diskutueshme në drejtësi. Ligji polak për ndëshkimin e gjykatësve minon pavarësinë e tyre, deklaroi KE të mërkurën.
Grindja për reformën në drejtësi mes qeverisë nacional-konservatore në Poloni dhe Bashkimit Europian është ashpërsuar. Komisioni Europian ka hedhur në gjyq sërish Poloninë para Gjykatës Europiane për shkak të reformës së diskutueshme në drejtësi. Autoritetet e Brukselit shohin rrezikimin e pavarësisë së gjykatësve polakë, bëri të ditur komisioneri europian për Drejtësinë, Didier Reynders të mërkurën (31.03) në Bruksel. Për të mos humbur kohë, KE u bëri thirrje gjykatësve më të lartë europianë madje që të marrin masa paraprake që para vendimit përfundimtar të trupit gjykues. Për këtë Komisioni Europian ka aplikuar në Gjykatën Europiane edhe për rregulloren e posaçme që ndal para kohe zbatimin e ligjit.
Didier Reynders
KE: Minohet pavarësia e gjykatësve
Sipas Komisionit Europian ka dy probleme konkrete: Nga njëra ligji për disiplinimin e gjykatësve minon pavarësinë e gjykatësve polakë dhe nuk përputhet me priorizimin e së drejtës europiane. Nga ana tjetër dhoma disiplinore e Gjykatës së Lartë polake nuk duhet të jetë më aktive, sepse me gjasa nuk është e pavarur. “Unë jam thellësisht e shqetësuar për masat në vazhdim që e minojnë pavarësinë e drejtësisë në Poloni”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit Europian,Vera Jourova të mërkurën në Bruksel, shkruan agjencia e lajmeve, dpa. Presioni ndaj gjykatësve në Poloni është rritur shumë dhe pavarësia e tyre po gërryhet nga brenda gjithnjë e më shumë.
Vera Jourova
Ligji për disiplinimin e gjykatasëve është në fuqi në Poloni që nga shkurti i vitit 2020. Ai parasheh që gjykatësit të ndëshkohen me gjoba, zbritje në detyrë apo lirim nga detyra, nëse venë pikëpyetje mbi kompetencën vendimmarrëse apo legjitimitetin e një gjykatësi tjetër, një dhome gjykimi apo gjykate. Po ashtu ata nuk lejohet të aktivizohen politikisht. Komisionerja Vera Jourva kishte paralajmëruar, që ky ligj “mund të përdoret ndër të tjera për kontrollin politik të lëndës së vendimeve të gjykatave.”/DW