E gjithë Europa jugore përfshihet nga zjarret

Zjarret e mëdha që janë përhapur në gjithë Spanjën tashmë ndodhen edhe në portat e Madridit.
Një burrë humbi jetën nga djegiet, teksa luftonte me flakët pranë banesës së tij në Tres Kantos, një zonë e banuar në periferi të kryeqytetit spanjoll, ku autoritetet kanë evakuuar 180 banorë nga mbrëmja e kaluar, kur shpërthyen flakët.

Zjarri i madh ka shkrumbuar mbi 1 mijë hektarë deri më tani dhe po përparon me shpejtësi, i ushqyer nga erat e fuqishme, thatësira dhe temperaturat mbi 40 gradë Celsius.

Mbi 2 mijë persona, përfshirë banorë dhe turistë, u evakuuan edhe nga qyteti jugor turistik Tarifa, për shkak të flakëve që kërcënojnë edhe banesa e hotele.

Evakuime janë bërë edhe në disa zona të banuara për shkak të vatrave të mëdha të zjarrit në rajonin verior të Kastijas dhe Leonit, të shpërthyera që fundjavën e kaluar.

Me disa zjarre të mëdha po përballet edhe Portugalia fqinje.

Zjarret janë shtrirë gjerësisht në rajonin e Europës jugore dhe veriut të Mesdheut.

Këto pamje tregojnë evakuimin me varka të 187 banorëve të një zone bregdetare në Çanakala, që u rrethua nga flakët duke djegur edhe banesa e automjete.

Emergjencë nga zjarret ka edhe në thuajse gjithë Ballkanin, përfshirë Malin e Zi e deri në Kroaci.

Leave a Reply