Studiuesi Auron Tare ka ofruar foton e rrallë të Lungomares së Vlorës këtu e dekada më parë, që nga shekulli i kaluar, e Kohës së Luftës së Parë Botërore, ku sipas tij zë fill ç’pyllëzimi i Labërisë.
“Një foto e Lungomares së Vlorës. Lufta e Parë Botërore. Qindra lebër me mushkat e ngarkuara me trungje pa prera pa hesap në malet e Laberisë.
Eshtë një foto shumë interesante e cila ka kapur një fragment të marrëdhënies historike qindravjeçare të shqiptarëve me natyrën e tyre.
Nëse udhëton sot në Labërinë e thellë, sheh një erozion masiv i cili është i shpërndarë kudo në shkëmbinj dhe brinjat karstike të zonës.
Të shfrytëzuara pa asnjë mëshirë, pyjet e kësaj zone janë prerë që nga koha e Venedikut, i cili, me trungjet e lisave dhe të bredhave të Labërisë ndërtonte anijet e flotës së saj.
Dokumentat venedikase tregojnë se si kjo tregëti në mënyre masive kryhej nga banorët e maleve të mbiVlorës në tri pika detare: Vlorë, Porto Palermo dhe Butrint.
Trungjet e prera transportoheshin në karvanet e mushkave dhe pasi mblidheshin në stiva t mëdha transportoheshin nga anijet tregtare. Kaq e përhapur ishte kjo praktik sa shpesh Porta e Lartë që kishte juridiksion mbi këto zona lëshonte urdhëra për pengimin e kësaj praktike.
Fotoja është një fragment nga kjo tregëti masive qindravjecçare, e cila fatkeqësisht ende vazhdon në kurriz të pyjeve që kanë mbetur”, shkruan Tare. /tesheshi.com/