Edhe një padi ndaj Merkos, akuzohet për punë të papërgjegjshme

Kundër kryetarit aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko Prokuroria Themelore Publike (PTHP) e Strugës ka dorëzuar propozim akuzë për veprën penale punë të papërgjegjshme në shërbim. Prokuroria vlerëson se Ramiz Merko me 31 janar 2022 ka shkelur me vetëdije rregullat ligjore për veprim të ndërgjegjshëm me rastin e emërimit të ushtrueses së detyrës- drejtoreshë e shkollës fillore në fshatin Labunishtë.

“Ka marrë vendim dhe për ushtrues detyre ka caktuar person që nuk ka qenë nga radhët e punonjësve, siç parashihet në nenin 118 të Ligjit të Arsimit Fillor, dhe i cili nuk ka pasur përvojë përkatëse të punës në punë edukativo-arsimore…”, thonë nga PTHP-Strugë.

Në këtë mënyrë ushtruesja e detyrës e emëruar në mënyrë të kundërligjshme ka marrë rrogë për 19 muaj dhe shkolla ka pësuar dëme financiare. Inspektori i Arsimit në pension, Gjorgi Ilievski, paralajmëroi se në shkollat e Strugës në mënyrë të paligjshme po emërohen drejtorë që në gushtin e kaluar. Si shembull, ai ka theksuar më shumë raste.

“Me arsim të mesëm profesional, teknik veterinar. Por është emëruar nga ana e Merkos dhe i njëjti më pas merr diplomë nga universiteti privat i Merkos me fakultetin juridik të përfunduar. Është edhe këshilltar në Këshillin e Komunës së Strugës. Është njoftuar edhe Jeton Shaqiri. Dhe në vend që t’i shohë të gjitha këto dhe t’i heqë kompetencat Merkos, ai vazhdon”, deklaroi Gjorgi Ilievski – inspektor i arsimit në pension.

Përbërja e mëparshme e Komisionit Kundër Korrupsionit ka dorëzuar nismë në Prokurori për ndjekje penale të Merkos, për shkak të emërimit të kundërligjshëm të ushtruesit të detyrës drejtor në shkollën fillore në fshatin Veleshtë. Ndaj Merkos ka aktakuzë edhe për blerjen e paligjshme të automjetit luksoz Audi A6 dhe tre vetura të tjera. Megjithatë, nga Gjykata Themelore në Strugë thonë se aktakuzën ende nuk e kanë marrë. Kundër Merkos momentalisht janë aktive edhe dhjetëra procedura të tjera. 9 muaj më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit e futi Merkon në listën e zezë për korrupsion dhe ndërhyrje në gjyqësor. /Alsat.mk

Leave a Reply