Gazeta “Panorama” ka mësuar nga burime të konfirmuara se këto ditë, Mjekësia Ligjore ka dorëzuar në prokurori aktin e ekspertimit në lidhje me problemet shëndetësore të 76 protestuesve përfshi edhe kryetarin e PD, Lulzim Basha që mori ndihmë mjekësore 7 orë pas mitingut hapës të fushatës elektorale.
“Probabiliteti më i lartë për problemet shëndetësore të konstatuara tek 50 mostrat e marra në analizë është që ato të jenë shkaktuar si pasojë e rrezatimit të prozhektorëve si pasojë e qëndrimit nën këtë efekt për 2-3 orë”, thuhet ndër të tjera në aktin e ekspertimit të Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria e Tiranës mësohet se e ka administruar në dosje këtë dokument, ndërsa është në pritje të mbërritjes së analizave nga Gjermania ku është kërkuar me letërporosi, një ekzaminim më i thelluar për shkakun e shqetësimeve shëndetësore që shfaqen protestuesit e opozitës.
Vetëm 7 orë pas pjesëmarrjes në tubimin e zhvilluar në bulevardin tek kryeministria, 230 persona përfshi edhe kryetarin e PD Lulzim Basha, u paraqitën me simptoma të skuqjes, enjtes dhe irritimit në fytyrë, në kokë dhe në qafë. Disa prej pjesëmarrësve kishin skuqje e irritim edhe në pjesën e krahëve.
Pak javë më parë në prokurori mbërriti edhe një përgjigje e organeve të specializuara të ushtrisë shqiptare e cila theksonte se një ditë pas mitingut të PD, në bulevard nuk janë gjetur mostra lëndësh kimike apo ushtarake helmuese.
Ushtria u përfshi në hetimin e rastit bashkë me policinë, prokurorinë dhe SHISH-in pas dyshimeve për një akt të mundshëm sabotazhi.
Prokuroria po i vazhdon hetimet për këtë rast me akuzën e pengimit të subjekteve zgjedhore dhe ndotjes së ambientit deri në mbërritjen e përgjigjes së analizave shkencore të kërkuara në Gjermani në lidhje me shkakun e problemeve shëndetësore që u shkaktuan tek rreth 230 protestues të PD.
Policia aludoi që në fillim për efekte të shkaktuara nga prozhektorët, madje disa prej tyre u sekuestruan por përfaqësuesit e kompanisë paraqitën dokumente për cilësinë e pajisjeve dhe për përdorimin e ndriçuesve në aktivitete të tjera si mitingje partish apo koncerte ku nuk ishte raportuar asnjë problem shëndetësor tek pjesëmarrësit.