Ekzekutohet gjyqtari Astrit Kalaja, Elvis Shkambi e qëlloi tri herë pas humbjes së gjyqit për pronat

Drejtësia shqiptare u trondit nga ekzekutimi brenda gjykatës i gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Ai u qëllua me pistoletë tre herë.

Ngjarja e rëndë ndodhi brenda Apelit të Përgjithshëm menjëherë sapo gjykatësi Kalaja shpalli vendimin për të rikthyer në shkallën e parë një dosje për çështje pronësie.

Ky është momenti kur i ndjeri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por fatkeqësisht nuk u mbijetoi dot plagëve të rënda që mori.

Personi që qëlloi me pistoletë për vdekje, gjyqtarin Astrit Kalaja, është Elvis Shkambi, pasi xhaxhai i tij, Gjon Shkambi humbi gjyqin.

Por jo vetëm kaq. Autori mbushi armën brenda gjykatës e më pas qëlloi edhe ndaj dy personave, babë e bir, që ishin palët kundërshtuese në procesin gjyqësor dhe që fituan të drejtën nga apeli mbi pronësinë, Rakip dhe Ervis Kurtaj.

Menjëherë autori doli nga gjykata dhe armën e krimit ia dorëzoi rojes së sigurisë, ndërsa u vetëdeklarua fajtor.

Shkak i konfliktit që çoi deri në krimin tronditës, është bërë një pronë në qytetin e Shkodrës. Përplasja ka nisur rreth 15 vjet më parë, mes Gjon Shkambit që humbi gjyqin, xhaxhai i autorit, dhe 31 familjeve që jetojnë në shkollën e dikurshme të Rezervave në Shkodër. Secila palë pretendon se gëzon pronësinë mbi objektin ndaj prej vitesh çështja ka mbetur pa zgjidhje në dyert e gjykatave.

Kjo ka shërbyer si motiv që Elvis Shkambi t’i merrte jetën gjyqtarit prej 32 vitesh pjesë e drejtësisë shqiptare, Astrit Kalaja. Ky i fundit ka një karrierë të gjatë dhe së fundmi kishte kaluar me sukses procesin e vetingut, duke shërbyer në apelin e juridiksionit të përgjithshëm.

Ndërkohë, mësohet se dy të plagosurit e tjerë, babë e bir, kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës dhe ndodhen jashtë rezikut për jetën.

Leave a Reply