Britania indinjohet pasi Franca nuk e ftoi në samitin për krizën
Thellohen çarja mes Francës dhe Britanisë së Madhe për shkak të mosmarrëveshjeve për emigrantët ilegalë që kalojnë në ngushticën e Kalesë.
Londra njoftoi se do të zhvillojë një samit më vete për këtë krizë, pasi u përjashtua nga takimi i ministrave të brendshëm i kësaj të Diele në Francë. Ministrja britanike Priti Patel tha se ngjarjet tragjike si ajo e të Mërkurës, ku humbën jetën 27 emigrantë nga mbytja e varkës së tyre që lundronte drejt brigjeve britanike, do të shumëfishohen, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët mes Londrës, Parisit dhe Bashkimit Europian.
Ministri i brendshëm francez nuk i dërgoi ftesë për në samitin e të Dielës, homologes së tij britanike, pas një letre të publikuar të Premten nga kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson, që shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit të Francës Emmanuel Macron.
Kërkesa e Johnson që Franca të pranojë emigrantët që nisen nga brigjet franceze dhe kapen nga Britania e Madhe, bëri që Macron t’a quajë shefin e qeverisë së Londrës ‘njeri me dy fytyra’. Sipas Macron, Johnoson vuri kushte paraprake, pavarësisht se në një komunikim të mëhershëm kishte pranuar që zgjidhjen ta gjenin bashkarisht.