Emigrantët, rrjeti i trafikut nis në Greqi

Mbi 15 mijë u futën në Shqipëri në 2021

Muhameti, një emigrant i paligjshëm i tha hetuesve shqiptarë se bashkë me 3 shokë të tij,  u nisën nga Maroku dy muaj më parë. Nga Turqia udhëtuan në Greqi dhe më pas një person të cilit i kanë dhënë 50 Euro i shoqëroi në kufirin tokësor me Shqipërinë.

Në Selanik tregon Muhameti, i kanë dhënë një personi tjetër 150 Euro me qëllim kalimin tranzit nga Shqipëria drejt Italisë, por shton se ka frikë të flasë për të.

4 shokët që u kapën në dalje të Kamzës nga Policia në përpjekje për të shkuar në Shkodër me një mjet që drejtohej nga një i ri shqiptar, nuk janë të vetmit.

Televizioni Klan mëson se në një muaj janë mbi 30 raste të tentativave për trafik të klandestinëve të Lindjes, ndërkohë mijëra prej tyre janë futur në Shqipëri.

“Mbi 15 mijë e 621 emigrantë të Lindjes u kapën në Shqipëri gjatë këtij viti në tentativë për të kaluar tranzit në BE. 48 mijë e 500 janë konstatuar në të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor”.

Fluksi emigrantëve të lindjes që solli në Shqipëri edhe FRONTEX, aktivizoi grupe kriminale të cilët merren me sigurimin e mjeteve për kalimin tranzit të tyre.

Sipas dokumenteve hetimore që Tv Klan disponon, grupet e emigrantëve vijnë në Shqipëri herë nëpërmjet një vendndodhje që u dërgohet në Ëhatsapp, e herë të shoqëruar nga një person tjetër.

Më pas dërgohen me makina në veri, ku kalojnë për në Kosovë apo Malin e Zi. Vlerat monetare të paguara variojnë nga 500 deri në 650 Euro apo më shumë, që shpesh kryhen në përfundim të udhëtimit nga familjarë të tjerë të tyre që jetojnë në vendet e BE-së.

Leave a Reply