Kryetari demokrat i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë tha se një zgjidhje përfundimtare e konfliktit, duhet të përfshijë njohjen reciproke.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot L. Engel tha të martën se rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Uashington, është një zhvillim pozitiv.
Por në një deklaratë, anëtari demokrat i Kongresit tha se ndërsa nuk ka asgjë të keqe që të rritet zhvillimi i tregëtisë dhe ekonomisë, “ky është një konflikt politik që kërkon një zgjidhje politike”.
Shtëpia e Bardhë, që po organizon takimin ka thënë se bisedimet do të përqendrohen tek çështjet ekonomike.
Në një postim në Twitter të enjten, Këshilltari i Presidentit republikan, Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien nënvizoi rëndësinë e bisedimeve:
Mirëpres mbërritjen e Presidentit Vuçiç dhe të Kryeministrit Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Angazhimi i dy udhëheqësve për dialog do të sjellë përfitime si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën,” tha zoti O’Brien.
Ligjvënësi Engel, thotë në deklaratën e tij se një zgjidhje përfundimtare e konfliktit duhet të përfshijë disa parime:
“Duhet të sjellë si rezultat njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i hapë rrugën anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në të gjitha strukturat e Atlantikut të Veriut, përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Dhe duhet t’i sigurojë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, që të ecë përpara si çdo vend tjetër”.
Por ai shton se një marrëveshje që do t’i jepte fund konflliktit nuk duket të ketë gjasa, duke shtuar se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka kundërshtuar vënien e njohjes reciproke në tryezën e bisedimeve.
Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se takimi do të jetë për çështje ekonomike dhe një këshilltar i posaçëm i Presidentit Donald Trump, tha të martën se bisedimet e kësaj jave do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret apo paragjykim për zgjidhjen politike.
“Është në dorë të palëve nëse duan apo jo të ecin përpara dhe çfarëdo që të ketë thënë media, Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan sekret, nuk do të kërkojnë diçka”, duke shtuar se “palët duhet të jenë në gjendje të shënojnë përparim, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë t’i përdorin këto mekanizma në mënyrë të fuqishme”, tha këshilltari i Presidentit Trump.
Ligjvënësi Engel, bashkëkryetar i grupit të çështjeve shqiptare në Kongres, thotë gjithashtu se nuk është vënë pothuajse aspak në vend drejtësia për “viktimat e spastrimit etnik, përdhunimeve dhe krimeve të tjera të luftës” nga Serbia ndaj Kosovës.
“Duhet të vihen para përgjegjësisë shkaktarët, në mënyrë që të popujt e dy vendeve të përqafojnë të ardhmen”, thuhet në deklaratën e zotit Engel.
Ai vlerësoi objektivin që ka vendosur kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti për negociatat, për “arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke, pa rrezikuar tërësinë territoriale të Kosovës”.
“Pas më shumë se dy dekadash armiqësie, shpresoj që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me njëra-tjetrën dhe se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë si një ndërmjetës i drejtë dhe i ndershëm për të ndihmuar vendet që të përqafojnë dialogun dhe të arrijnë paqen”, përfundon deklarata e zotit Engel./VOA/