BSH planifikon 20 ankande për të thithur 330 mln Euro
Kursi i dobët i këmbimit të monedhës europiane në raport me Lekun duket se ka nisur rikuperimin me fillimin e vitit të ri 2024. 1 Euro këmbehet me 104.7 Lekë në pikat e këmbimit valutor, duke fituar kështu 1.39 pikë vetëm për javën e parë të muajit Janar.
Edhe Dollari amerikan e ka nisur vitin duke u forcuar në raport me Lekun me të paktën 1.51 pikë, për tu këmbuer me 95.3 lekë. Paundi britanik dhe franga zviceriane këmbehen pothuajse në të njëjtat pozita që ishin para fundvitit 2023, ndonëse kanë vijuar fuqizimin e lehtë.
Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka parashikuar të ndërhyjë në tregun e brendshëm duke tërhequr nga tregu i brendshëm një sasi prej 330 mln eurosh për efekt të rezervës së saj valutore.
Sipas kalendarit të bërë publik që prej fundit të vitit që lamë pas, janë planifikuar të zhvillohen 20 ankande për të blerë Euro në treg.
Ndërhyrjet e para nisin në 16 Shkurt 2024, ku do të kërkohet të blihen deri në 10 milionë Euro, dhe kalendari i ankandeve planifikohet të mbyllet më 20 Dhjetor 2024.