Falimentimi i Greqisë është gjithnjë e më pranë. Ministrat e Financave të Eurozonës refuzuan kërkesën e Athinës për të zgjatur programin e ndihmës përtej 30 qershorit, kur edhe i pëfundon afati.
Në deklaratën e përbashkët të ministrave të Financës përgjegjësia e mungesës së marrëveshjes bie mbi palën greke, e cila ka braktisur në mënyrë të njëanëshme bisedimet me vendimin për të thërritur një referendum për masat shtrënguese.
Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijssebloem doli në një konferencë për shtyp pas takimit të Ministrave të Financave, ku shprehu keqardhjen për mungesën e një marrëveshjeje dhe paralajmëroi ditë më të këqija për grekët dhe ekonominë greke.
“Programi përfundon ditën e martë dhe mendoj se situata në Greqi do të përkeqësohet me ritme të përshpejtuara pas këtij vendimi. Ndjehem i keqardhur për ato që mund të ndodhin në javët në vazhdim”, tha Dijssebloem.
Kreu i Eurogrupit komentoi edhe vendimin e qeverisë greke për të thërritur në referendum qytetarët për të vendosur nëse do të pranojnë apo do të refuzojnë masat shtrënguese të propozuara në këmbim të ndihmës financiare.
“Është e padrejtë të thërriten qytetarët, pasi është një vendim i vështirë për ta”, tha ai.