Edhe pse perëndimi u tregua skeptik ndaj qeverisjes talebane në Afganistan, disa muaj pas marrjes së dhunshme të pushtetit në vend, gjërat duket se po ndryshojnë.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi disa shtete europiane po punojnë përhapjen e një misioni të përbashkët diplomatik në Kabul, që do t’u mundësonte ambasadorëve të tyre kthimin në Afganistan, pasi talebanët morën kontrollin e vendit në gushtin e këtij viti.
Duke folur gjatë një vizite në Katar Macron sqaroi se një gjë e tillë do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke theksuar se hapja e këtij misioni nuk do të nënkuptonte sidoqoftë se i njohin talëbanët si udhëheqës të Afganistanit. Shumica e shteteve i tërhoqën të dërguarit e tyre nga Kabuli pas rrëzimit të qeverisë afgane të mbështetur ndërkombëtarisht.
SHBA-ja dhe Bashkimi Europian po e kushtëzojnë njohjen e grupit islamik të linjës së ashpër, me formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke kërkuar që të përfshihen edhe minoritetet dhe gratë. Ndër kushtet e tjera përfshijnë edhe që talibanët të mos lejojnë që Afganistani të bëhet bazë për terrorizmin ndërkombëtar dhe që të lejojnë shtetasit e huaj dhe afganët, që duan të largohen, të mund ta bëjnë një gjë të tillë.