Europa ndodhet në prag të një krize që rrezikon zhbërjen e një prej arritjeve kryesore të saj: lëvizjen e lirë brenda hapësirës Shengen. “Deutsche Welle” citon Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, të jetë shprehur se “ka vetëm dy muaj kohë për të vënë gjëray në kontroll”.
Përndryshe, mosmenaxhimi i krizës së refugjatëve do të sillte kolapsin e udhëtimit pa pasaportë në Shengen. Po kështu Tusk sheh rrezik edhe përrpjektin europian në tërësi, nëse kufijtë e jashtëm të unionit nuk do të arrijnë të menaxhohen. Ndërkohë që në shtete të ndryshme ka ngritur krye ky mendim, Berlini zyrtar i përmbahet idesë se mbyllja e kifijve për mijëra imigrantët që ikin nga zonat e luftës, nuk do ta zgjidhë krizë.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u tha gazetarëve të huaj të martën, se mbyllja e kufijve të vendit me popullatën më të madhe të BE nuk do ta zgjidhë krizën e refugjatëve. Me këtë Steinmeieri reagoi ndaj një letre të disa zyrtarëve gjermanë që kërkojnë marrjen e masave të tilla. “Unë ju garantoj që një zgjidhje e krizës nuk do të arrihet duke mbyllur kufijtë”, tha ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier. Ai kërkoi rishpërndarjen e refugjatëve si rruga e vetme për të trajtuar krizën, duke siguruar njëkohësisht edhe kufijtë e jashtëm. Ai iu referua edhe një pakete ndihme prej 3 miliardë eurosh, që i është premtuar Turqisë, po miratimi i së cilës po zvarritet nga Italia.